Reforma zgjedhore, ndasi të mëdha mes palëve

10/01/2016

Pesë muaj para zgjedhjeve, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore ende është në fazën fillestare të punës. Mbledhja e së martës me dyer të mbyllura, vetëm sa e rikonfirmoi këtë,  kur dy bashkëkryetarët pohuan se kanë rënë dakort të hartojnë një listë, prej së cilës të identifikojnë çështjet që i ndajnë dhe ato që i bashkojnë.

Derisa lista të hartohet të premten, pikat që i ndajnë janë të njohura dhe shumë të rëndësishme.

“Teknologjia në votim është çështje themelore. Justifikimet me kohën s’do ia pranojmë më mazhorancës. Opozita do të ngulë këmbë që të mos bëhet trajtim selektiv i çështjeve”, thotë Oerd Bylykbashi.

“Për fat të keq nuk pati dakordësi për votën e emigrantëve dhe depolitizimin e komisioneve zgjedhore. Sa për votimin elektronik, Oerdi vetë e ka thënë kur ne ishim në opozitë, që duhet një projekt pilot prej së paku 2 vjetësh. Ndaj të presim 2 vjet…”, deklaroi Taulant Balla.

LSI-ja kishte një qëndrim të ndërmjetëm për këtë çështje.

“Sa i përket votimit elektronik, ne e mbështesim. Përpos debatit politik, gjithsesi ekspertiza më e mirë për këtë çështje, duhet të jetë ajo e OSBE/ODHIR”, tha Petrit Vasili.

Mbledhja e së martës nxori në pah edhe mosdakortësinë e aleatëve qeverisës për propozimin e LSI-së për listat e hapura.

“Nëse pas zgjedhjeve do të diskutojmë për ndryshim të sistemit zgjedhor, bujrum, por jo sot. Përfshirë edhe një propozim për listat e hapura”, tha Balla.

“Nuk është një çështje që lind sot, paraqitet sot dhe propozohet sot. Ka qenë një zgjedhje e rrufeshme në vitin 2008, kur ne e kemi propozuar dhe sot e rimarrim, duke besuar se një klimë e re më e qetë krijonte një hapësirë të re për ta rimarrë çështjen dhe kjo nuk ka pse të jetë tabu”, u përgjigj Vasili.

Deri tani, komisioni nuk ka asnjë produkt dhe ekspertët druhen se reforma zgjedhore është në prag të dështimit.‎ Por, LSI ka një shpresë për zgjedhjet e qershorit: monitorimin e procesit nga administrata e re amerikane.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.