Qendër për luftëtarët e huaj
10/01/2016
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli ka bërë të ditura direktivat e Forcës së Armatosur për vitin 2017. Mes direktivave, ministrja Kodheli ka nënvizuar forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me vendet e aleancës në NATO.

Në mënyrë të veçantë bashkëpunimi duhet thelluar në luftën kundër terrorizmit e ndaj fenomenit të luftëtareve të huaj, ku Shqipëria pritet të ketë një rol më të madh.

“Prioriteti i bashkëpunimit me NATO-n të jetë ngritja dhe akreditimi i qendrës së ekselencës për luftëtarët e huaj, sikurse Aleanca aplikon qasjen gjithpërfshirëse në angazhimin e saj, fokusi i bashkëpunimit civilo-ushtarak të jetë në rritje të efektivitetit të komunikimit strategjik dhe bashkëpunimit me pushtetin qendror dhe lokal, organizatat joqeveritare dhe median”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes.

Pjesëmarrja e forcave shqiptare të armatosura në gjithë operacionet e  NATO-s tashmë është një fakt dhe për këtë qëllim, ministrja Kodheli ka kërkuar shtimin e kapaciteteve profesionale dhe njerëzore në forcat tokësore dhe në mënyrë të veçantë, hartimin e planeve për stërvitjet dhe modernizimin me qëllim rritjen e fuqisë së zjarrit, lëvizshmërisë dhe ruajtjes së forcave tokësore.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.