Tjetër viktimë nga moti i keq, këtë herë në Korçë

10/01/2017

Një 60-vjeçar është gjetur i pajetë në lagjen numër 10 të qytetit të Korçës. Ilia Lifo është gjetur rreth orës 10 i pajetë në ambjentet e braktisura të ish-Poligonit të bonifikimit, atje ku prej një viti banonte i vetëm.

Sipas burimeve nga policia, gjatë ekspertizës së kryer paraprakisht dyshohet se 60-vjeçari Lifo ka gjetur vdekjen si pasojë e të ftohtit.

Ilia Lifo vuante edhe nga diabeti si dhe nga problemet kardiake dhe mendohet se përdorimi i alkoolit mund të ketë rënduar disi më shumë gjendjen e tij.

Në trupin e 60 vjeçarit nuk janë konstatuar shenja dhune çka të nxjerr në konkluzionin se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.

Paraprakisht u mendua se 60-vjeçari ishte një endacak, por sipas drejtoreshës së Qendrës Sociale Korçë, Irena Bozdo, Ilia Lifo nuk ishte endacak, por trajtohej me KEMP të plotë.

60-vjeçari Lifo ishte i divorcuar dhe kishte dy fëmijë, një djalë të martuar dhe një vajzë, por kishte zgjedhur të jetonte i vetëm larg fëmijëve të tij.

Me këtë rast shkon në 4 numri i viktimave nga moti i acartë, pas rastit të Durrësit ditën e shtunë, atij në Sarandë dhe atij në Lushnje një ditë më parë.

Pavarësisht se bashkitë dhe policitë në qarqe u kanë ardhur në ndihmë të pastrehëve në këto ditë të ftohta, duket se këto masa nuk kanë mjaftuar për të shmangur humbjen e jetëve.

Ndërsa Shqipëria regjisrtron viktimën e katërt në këto ditë acari, reshjet e dëborës janë pakësuar, por uljet e temperaturave kanë bërë që ngricat përveç rrugëve të pushtojnë edhe ujërat.

Në veri disa fshatra të njësive administrative Selisht dhe Lurë në Dibër ende mbeten të bllokuara. Në qytetin e Peshkopisë gjendja paraqitet më e mirë, por edhe këtu banorët hasin probleme nga ngrirja e ujit të pijshëm, të cilin detyrohen ta blejnë.

Në Kukës, në fshatin Kollovoz banorët kërkojnë lirimin e rrugëve edhe pse raportojnë se kanë dalë vetë të pastrohjnë dëborën. Ndërsa një qytetar tjetër nga veriu i vendit raporton për ngricat që janë shfaqur mbi ujërat e liqenit të Shkodrës.

Reshjet kanë zbritur deri në jug. Në Gjirokastër vetëm 5 minuta pasi nisën reshjet e borës filluan problemet me qarkullimin në rrugët e brendshme.

Në qytet aktualisht rrugët janë të rrëshqitshme edhe për këmbësorët. Qafa e Muzinës që lidh Gjirokastrën me Sarandën kalohet me zinxhirë për shkak të ngricave dhe konsiderohet një aks i rrezikshëm.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.