Haradinaj, Mustafa: Në kontakt me autoritetet franceze

10/01/2017

Kuvendi i Kosovës po mban paraditen e kësaj të marte një seancë të posaçme mbi rastin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i arrestuar në Francë në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë.

Në fjalën e tij në këtë seancë, kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se të gjitha dikasteret e qeverisë së Kosovës janë vënë në veprim për të kontribuar në çdo formë për lirimin e Haradinajt.

“Qeveria ka njoftuar autoritetet franceze se fletë-arrestet e Serbisë janë të pavlefshme, se ato janë anuluar që në vitin 1999, se institucionet e Kosovës ushtrojnë funksionet e tyre në bashkëpunim me EULEX-in, pjesë e të cilit është edhe Franca”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka theksuar se qeveria e tij po punon në mënyrë që “akuzat tendencioze” të Serbisë ndaj autoriteteve të Kosovës të rrëzohen pasi nuk kanë asnjë bazë juridike. “Gjithashtu po punojmë edhe për të realizuar anëtarësimin e Kosovës në EUROPOL”, ka vijuar Mustafa.

Ai ka shprehur bindjen e tij se, “institucionet e Francës do të marrin vendimin që Haradinaj të kthehet në Kosovë dhe që këto praktika të mos ndodhin më”.

Ndërsa ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka bërë me dije se, autoritetet franceze kanë marrë informacione të detajuara për Haradinaj.

Gjithashtu, “kam bërë kërkesë për një vizitë zytare urgjente në Francë”, ka thënë Hoxhaj, i cili ka akuzuar Serbinë se po ndjek politikë armiqësore ndaj Kosovës.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.