Ben Blushi në Top Story: Sfidat e LIBRA-s

09/01/2017

2017 është një vit sfidash edhe për politikën. Në qershor do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe në këto zgjedhje pritet të testohen jo vetëm figura të reja, por edhe lëvizje politike të reja.

E mes këtyre lëvizjeve është edhe LIBRA e Ben Blushit dhe për të folur për të, ishte vetë ish-deputeti i socialist i ftuar në emisionin e parë të Top Storyt për këtë vit. Blushi e nisi fjalën e tij duke folur për ndarjen me Edi Ramën.

“Ika jo me dëshirë, por i detyruar për arsye themelore sepse më hoqën të drejtën e zgjedhjes. Përveç kësaj, partia ku isha për 20 vjet nuk ishte më ajo që unë u futa. Nuk kisha asnjë arsye të bashkëjetoja me banditë që sot po i kap ligji dhe që Rilindja, jo Partia Socialiste po i mbron sot edhe në kurrizin tim. Për gjithçka që unë kam luftuar që PS të vinte në pushtet, ajo u zhbë tre vitet e fundit. Ne shkuam në zgjedhje për më shumë barazi sociale, më pak korrupsion, më pak papunësi, më pak kriminalitet, më shumë drejtësi dhe mundësi për të varfërit, më shumë mbështetje për shtresën e mesme. Të gjitha këto nuk kanë ndodhur, përkundrazi ka ndodhur e kundërta. Politikat janë në favor të të pasurve dhe sot Shqipëria është sot vendi më i polarizuar në Europë. Partia Socialiste është e pushtuar nga një grup njerëzish që nuk kanë asnjë ideal përveç biznesit dhe fitimit”, thotë ai.

Por a ishte vendimi për t’u larguar nga PS dhe për të formuar një lëvizje të re politike, një vendim i vonuar, që duhej marrë më parë, ndoshta që në 2009? Ben Blushi thotë jo.

“Unë doja të provoja që në Partinë Socialiste, për shkak të Rilindjes, nuk do të kishte zgjedhje dhe unë nuk mund të ikja pa e provuar këtë. Kam luftuar shumë që të vinte ajo ditë. E dija që nuk do të kishte zgjedhje dhe zgjedhje nuk pati. Nëse do të kishte zgjedhje do të ishte komplet një gjë tjetër. Do të pranoja rezultatin me pikëpamjet e mia. Unë besoj se Shqipëria mund të qeveriset shumë më mirë se kaq. Duhet një qeverisje morale, një qeverisje që nuk mbjell kanabis, që nuk u bën luftë të varfërve në bashkëpunim me të pasurit”, deklaroi ai.

Blushi thotë se Edi Rama e ka patur personale betejën me të, ndërsa ai vetë e kishte parimore.

“Edi Rama e ka patur personale me mua, jo unë me të. Rama e ka patur personale sepse nuk mund të investohesh kaq shumë për një njeri që të mos kandidojë kundër teje. Kjo tregon që e ka personale, ndërsa unë nuk e kisha personale, por parimore”, u shpreh ai.

“Rilindja më e djathtë se PD”

Ben Blushi thotë se qeveria aktuale është duke zbatuar politike më të djathta edhe se vetë qeverisja e Partisë Demokratike.

“Nëse më sheh nga Rilindja jam majtas. Rilindja është shumë djathtas, nëse më sheh nga PD, jam prap më majtas, sepse PD është djathtas, por jo më shumë se Rilindja. LIBRA është parti e qendrës dhe provon atë që unë them që ajo nuk është parti e imja dhe nuk është projekti im personal. Libra është një lëvizje e njerëzve të lirë që m’u imponuan edhe mua që Libra të jetë një parti e qendrës. Kjo nuk do të thotë që pikëpamjet e mia bien në kundërshtim me ato që them”, deklaroi ai.

Ai shpjegoi edhe pozicionimin në qendër të LIBRA-s.

“Libra ka vendosur që t’i shkojë më shumë zgjidhjes së problemeve sesa ideologjisë duke besuar që pozicionet e ngurta si të majta, ashtu edhe të djathta nuk kanë prodhuar rezultat pozitiv në Shqipëri, megjithëse nuk janë aplikuar”, u shpreh Blushi.

Cili është misioni politik i Libra-s?

Ben Blushi foli për të.

“Unë përmend LSI, PD dhe Rilindjen për të treguar që ka një kontrast me LIBRA-n, për t’u treguar shqiptarëve që diçka nuk shkon. Kemi vendosur të krijojmë një kontrast dhe jo vetëm në organizim, të krijojmë një kontrast me partitë e vjetra që janë një biznes personal dhe veç kësaj do të donim të kishim për aq sa është e mundur edhe për pikëpamjet tona. LIBRA qëndron për të hequr dorë nga koncesionet, për të ndihmuar të varfërit, për të ndihmuar shtresën e mesme, për ta fuqizuar atë dhe për t’i dhënë mundësi të rinjve të Shqipërisë të punësohen dhe të ketë shpresë për të mos braktisur këtë vend. Ne do të përpiqemi që të krijojmë një kontrast dhe nëse shqiptarët do të duan të marrin këtë rrugë, le ta marrin dhe nëse duan të votojnë në mënyrë konvencionale për Saliun dhe Edi Ramën dhe Ilir Metwn, le ta bëjnë", deklaroi ai.

Analisti Arjan Vasjari shfaqi pesimizëm për LIBRA-n. Ai tha se kjo lëvizje po ndjek një linjë opozitare identike me Partinë Demokratike. Blushi e mohoi këtë.

“Nuk ka rëndësi nëse e thotë edhe PD, por ndryshe nga PD ne kemi dalë me dëshirë në opozitë, ndërsa PD ka dalë me 1 mln shuplaka. Mua nuk më intereson PD sepse PD është e shkuara. Ne gjykohemi në të ardhmen dhe në të ardhmen ne nuk mund të gjykohemi pa dalë ende me një projekt konkret”, deklaroi Blushi.

Taksat

Ben Blushi thotë se pabarazia në ndarjen e të mirave materiale në vend është thelluar në ekstrem. Ai deklaroi se LIBRA do ta luftojë këtë pabarëzi, për të cilën fajësoi politikat si PD ashtu edhe PS.

“Ne nuk kemi ende një projekt konkret për këtë, por ajo që mendojmë ne është që Shqipëria e ka të domosdoshme të ketë një shpërndarje më të mirë të të mirave materiale. Qoftë PD, qoftë PS e polarizuan këtë. Sot 1 përqind e shqiptarëve kanë më shumë se 99 përqind”, deklaroi ai.
 
Reforma në drejtësi

Lidhur me reformën në drejtësi Ben Blushi deklaroi se e ka mbështetur atë që në fillim. Ai deklaroi se në muajt e parë pas miratimit të paketës kushtetuese ishte më shumë entuziast, ndërsa tani jo më dhe shpjegoi edhe arsyet.

“E kam votuar pa asnjë kusht reformën në drejtësi. PD bëri xhiro bashkë me LSI, ndërsa unë e kam votuar dhe një nga arsyet që shtyva daljen nga PS është se e bëra për të mos u keqkuptuar. Sot kam nisur të jem skeptik sepse gjithçka u politizua shumë dhe ekziston mundësia që hierarkia e re gjyqësore të kapet dhe të ndotet po aq e madhe sa ajo që ishte“, deklaroi ai.

Ambicia e LIBRA-s

Duke përdorur humorin, Ben Blushi u shpreh me siguri se nga zgjedhjet e qershorit partia e tij do të dalë e fituar.

“LIBRA ka për të qenë surpriza e këtyre zgjedhjeve sepse është e sigurtë që do të marrë më shumë vota nga sa ka, sepse nuk ka marrë pjesë asnjëherë. Partia më e madhe e Shqipërisë sot, është partia e të pakënaqurve.  LIBRA-n mund ta mundë sistemi, por jo shqiptarët. Libra do të ketë më shumë vota dhe sigurisht edhe më shumë mandate se sot”, deklaroi Blushi.
 
Koalicionet

Lidhur me koalicionet në zgjedhjet e qershorit, Ben Blushi tha se për këtë do të vendosë anëtarësia e partisë së tij.

“Ne do të bëjmë një anketë me të gjithë anëtarësinë që do të zgjedhë nëse duhet të bëjmë koalicion dhe nëse po me kë. Anëtarësia do të pyetet nga muaji mars për koalicionin. Sa më takon mua, unë e kam të pamundur të bëj koalicion me Sali Berishën dhe po ashtu edhe me Rilindjen. Dëshira ime personale do të ishte që të kishim mundësi të shkonim vetë në këto zgjedhje. Nëse anëtarësia e Libras do të vendoste të dilte vetëm do ishte më mirë. Nëse vendos të dalë në koalicion me PD ose PS, do ta pranoj vendimin e shumicës me zemër të thyer”, u shpreh deputeti Blushi.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.