Shkupi dhe Tirana, Bushati: Asnjë ndërhyrje për koalicionet
09/01/2017
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati thotë se është për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe se roli i Tiranës nuk lidhet në asnjë rast me skenarët  e mundshëm për krjimin e qeverisë në Maqedoni.

“Për herë të parë që nga Marrëveshja e Ohrit, partitë Parlamentare shqiptare dalin mbi dasitë e tyre ideologjike dhe bien dakord për një listë çështjesh, të cilat natyrisht do të duhet që të afatizohen, do të duhet që të detajohen për të rishikuar më pas edhe mënyrën sesi ato çështje do të zbatohen në praktikë. Në këndvështrimin tonë, partitë shqiptare në Maqedoni kanë rënë dakord për të mbështetur njëra-tjetrën përsa i përket zbatimit të këtyre çështjeve, apo mënyrës sesi do të zbatohen këto çështje, por nuk kanë rënë dakord dhe është krejt e natyrshme, për t’u bërë bashkë në një parti”, thotë ministri Bushati.

Për ministrin e Jashtëm Tirana do të vijojë të mbështesë çdo proces që siguron demokraci dhe stabilitet në Maqedoni dhe nënvizon se Shqipëria nuk ka ndërhyrë aspak në punët e brendshme të shtetit fqinj e mbi të gjitha nuk ka asnjë interes për koalicionet.

“Shqipëria është neutrale përsa i përket mënyrës sesi mund të formësohen koalicionet në Maqedoni, është një përgjegjësi totalisht e partive, të cilat janë të përfaqësuara në Parlamentin e Maqedonisë. Për ne, rëndësi ka mbështetja e kësaj platforme e cila vjen si produkt i partive parlamentare shqiptare në Maqedoni”, deklaron kryediplomati shqiptar.

Sa i përket zbatimit të platformës së nënshkruar nga partitë shqiptare, Bushati thekson se ky është momenti i duhur që ata të bëheshin bashkë.

“Barazia, liria dhe demokracia si tre elemente themelore të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar në mënyrën e duhur, apo në atë mënyrë siç parashikonte Marrëveshja e Ohrit, çka të lë një përshtypje apo shije të hidhur që kemi të bëjmë me dy komunitete, që në fakt janë shtetformues, sllavo-maqedonasit dhe shqiptarët, të cilët pak komunikojnë me njëri-tjetrin. Besoj se ky është momenti i artë për faktorin politik shqiptar për t’u bërë së bashku dhe për të avancuar këto çështje”, thotë Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare është ndalur dhe tek arrestimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, duke e cilësuar atë një akt të papranueshëm dhe duke shtuar se pas 6 vitesh dialog Kosovë-Serbi ka ardhur koha për të bërë një rivlerësim të angazhimeve. Çfarë do të thotë kjo?

“Kemi nevojë për një Bashkim Europian të zëshem dhe aktiv për të parandaluar veprime të ngjashme, sepse nuk mund të pretendohet që të kemi një dialog të vërtetë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur rinovohen apo dalin nga sirtarët mandate arresti të cilat synojnë të provokojnë situata destabiliteti në Kosovë, në shpërfillje të plotë në fakt dhe të verdikteve të drejtësisë ndërkombëtare”, shprehet ministri i Jashtëm shqiptar.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.