Reforma zgjedhore, LSI këmbëngul për listat e hapura

09/01/2016

Kur të mblidhet të martën, Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk do të ketë një axhendë të unifikuar qëndrimesh.

Mosdakortësisë mes socialistëve dhe demokratëve se deri ku duhet ndërhyrë në Kodin Zgjedhor, i është shtuar edhe një qëndrim i veçantë i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ajo shpalli këtë të hënë një platformë me 7 pika, ku rikonfirmoi kërkesën për lista  të hapura, një kërkesë që nuk është përkrahur nga dy partitë e mëdha.

Platforma e LSI-së përqendrohet te ashpërsimi i masave për shitblerjen e votës, fotografimin e saj, parandalimin e zhvendosjes së votuesve nga njëra zonë në tjetrën, duke e lidhur qendrën e tyre të votimit me datën e shpalljes së zgjedhjeve nga Presidenti, si dhe shtimin nga 90 në 200 të qendrave të numërimit të votave.

Por platforma e LSI-së ka edhe nje risi që prek Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ajo propozon që KQZ-ja të mos ketë më kompetencë për shqyrtimin e ankesave të subjekteve zgjedhore, por këtë rol ta marrë Kolegji Zgjedhor. Sipas LSI-së, kjo shkurton kohën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve.

Disa nga propozimet e LSI-së nuk kanë lidhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet. Tek këto rekomandime po fokusohet më shumë Partia Socialiste, e cila duke iu referuar mungesës së kohës, nuk ka pranuar platformën e Partise Demokratike, që ka në bazë votimin dhe numërimin elektronik.

Opozita nuk ka marrë një vendim politik se çfarë do të bëjë në këto kushte, por, tani për tani drejtuesit e saj po luajnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve.

Serioziteti i këtij opsioni do të verifikohet të martën, kur të shihet nëse anëtarët e opozitës do ta artikulojnë apo jo gjatë mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.