PD: Edi Rama i shërben krimit
09/01/2017
Sekretari për rendin dhe sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj ka përsëritur akuzat e opozitës ndaj kryeministrit Rama, për mbrojtjen që sipas tij ai i jep krimit.

“Me Edi Ramën, krimi ka mbrojtjen dhe mbështetjen qeveritare. Prej 9 muajsh ka një urdhër arrest ndërkombëtar për Klement Balilin që nuk është zbatuar ende. Klement Balili është ende i lirë dhe i pa shqetësuar nga policia. Shteti i Edi Ramës godet të pambrojturit si Estrefin 22-vjeçar, që vrau veten nga depresioni në burg pasi ishte arrestuar për 1 cigare hashash të dyshuar. Eskobari i Ballkanit nuk arrestohet sepse ka mbrojtjen e Edi Ramës dhe leviz i lirë”, ka thënë Alibeaj.

Një rast tjetër sipas tij është ai i kryetarit të PS në Peqin, Edurim Teqja, i cili po hetohet për vrasjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.

“Edhe ai i pashqetësuar, madje merr pjesë në inaugurimet qeveritare sepse ka mbrojtjen politike të Edi Ramës. Me Edi Ramën, krimi ka garancinë për t’i shpëtuar ligjit, për t’i ikur policisë. Me Edi Ramën, shteti është inkriminuar duke u kthyer në shërbyes të trafikantëve të drogës. Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë e keqe për ne dhe të ardhmen tonë. Le ta ndalim së bashku këtë të keqe. Le ta vëmë qeverinë në shërbim të njerëzve”, ka shtuar Alibeaj.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.