Thaçi, vizitë zyrtare në SHBA. Takime me Biden, Engel, McCain e të tjerë
09/01/2017
Thaçi, vizitë zyrtare në SHBA. Takime me Biden, Engel, McCain e të tjerë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të së cilës do të takojë zyrtarë të lartë të administratës amerikane, senatorë, kongresmenë e udhëheqës të “think tank”-eve, si dhe personalitete që kanë luajtur rol apo që do të luajnë rol në zhvillimet në Uashington në raport me Kosovën dhe me Ballkanin.

Në Shtëpinë e Bardhë, presidentin Thaçi do ta presë zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Ndërsa në Senat, Thaçi do të ketë takime të ndara me senatorë të rëndësishëm për zhvillimet në Europë dhe në rajonin tonë. Takimi i parë është me senatorin Bob Corker, kryesues i Komisionit për Punët e Jashtme në Senatin amerikan. Pastaj me senatoren Joni Ernst, republikane nga Ioëa, veterane e ushtrisë amerikane e cila ka vizituar Kosovën dhe është zë përkrahës për Kosovën, veçanërisht për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Takimi tjetër në Senat është me senatorin John McCain, gjithashtu veteran i ushtrisë, por edhe i politikës në SHBA, si dhe takimi me senatorin Jim DeMint, ndër figurat më të spikatura të Partisë Republikane dhe kryesues i “The Heritage Foundation”, “think tank”-ut më me ndikim në formimin e ekipit tranzitor të presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Në Kongresin amerikan, presidenti Thaçi do të takojë kongresmenët Eliot Engel dhe Michael Turner, me këtë të fundit që është edhe kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ndër takimet e tjera të rëndësishme është ai me Bob Doll, ish-senator dhe një ndër zërat më të fuqishëm për Kosovën në Uashington, i afërt edhe me ekipin e presidentit të zgjedhur, Trump.

Në të gjitha këto takime, presidenti Thaçi do të diskutojë vazhdimin e bashkëpunimit të Kosovës me SHBA-të dhe thellimin e tij.

“Vizita ime dhe pritja që më bëhet në Uashington është konfirmim i miqësisë speciale dhe të përhershme që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur presidenti Thaçi në fillim të vizitës së tij në Uashington. “Me ndryshimet në botë, miqësia jonë me SHBA-të, raporti ynë special është jetik për të ardhmen e Kosovës, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, ka përfunduar presidenti Hashim Thaçi.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.