Ngrica vret 52-vjeçarin në Lushnjë, ruante pallatin

09/01/2017

Bashkim Çepa, 52-vjeçar nga Golemi i Lushnjës, është gjetur në orët e para të mëngjesit të së hënës i vdekur për shkak të ngricave. Ai punonte roje në një pallat në ndërtim në këtë qytet, e për shkak të temperaturave që kanë shkuar disa gradë nën zero ka ndërruar jetë.

Ishin vet familjarët e tij, që duke parë se nuk po kthehej në shtëpi, kanë shkuar në vendin e punës dhe e kanë gjetur të pajetë. 52-vjeçari është viktima e tretë nga ngricat, pas dy endacakëve të gjetur pa jetë në Durrës dhe Sarandë.

Ndërkohë, banorët e zonave të thella në Kukës e Dibër janë prej 5 ditësh të izoluar. Ata kanë zgjedhur ta çajnë rrethimin e dëborës në këmbë. Një prej tyre, banor i Surrojit në Kukës raporton atë që po ndodh në fshatin e tij.

“Rruga për Surroj është e bllokuar gjithandej. 12 km po i bëjmë në këmbë, kemi një javë të izoluar. Familjet kanë pasur probleme me virozat, kanë mbetur të bllokuara, s’kanë pasur mundësi të shkojnë as në spital”.

Në këto zona, dëbora dhe ngrica është problemi më i madh. Paraditen e së hënës, temperatura ishte -16 gradë Celsius. Shtëpitë janë izoluar tërësisht. Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shtetëror thotë se akset kombëtare janë të zhbllokuara, por rekomandon qarkullimin me zinxhirë për disa akse në vend.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.