Bushati: Ndalimi i Haradinajt, i padrejtë
09/01/2017
Bushati: Ndalimi i Haradinajt, i padrejtë
Ministri Bushati ka deklaruar se ndalimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është i padrejtë, dhe i dënueshëm”.

“Akuzat ndaj Ramushit e kanë zanafillën në vitin 2004, kur asokohe kryeministër la detyrën për të shkuar në Hagë, për t’u ballafaquar me drejtësinë ndërkombëtare. Dy dhomat e Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi e çliruan nga çdo akuzë. Këto janë fakte të njohura botërisht. Për rrjedhojë, lëshimi i fletë-arresteve nga Serbia, keqpërdorimi i Interpolit dhe shpërfillja e vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare është një veprim i qëllimshëm që synon të destabilizojë Kosovën, të denigrojë imazhin e një personaliteti dhe përmes tij të njollosë luftën çlirimtare të Kosovës”, tha Bushati.

“Deklaratat e Vuçiçit dhe Nikoliçit dëshmojnë se jetojnë në të kaluarën e errët, duke bërë pjesë për fat të keq tek ata politikanë që ende mendjonë se mund të nxirret kapital politik me Kosovën. Përdorimi i “viktimologjisë”, si metodë politike, kombinuar me “teatralitetin” dhe “agresivitetin”, mund të prodhojë efekte befasuese në planin afatshkurtër, por është tërësisht kundërproduktive në planin afatgjatë”, shtoi Bushati.

Në lidhje me rolin që luajti diplomacia e Tiranës për gjetjen e kompromisit mes partive shqiptare në Maqedoni, Bushati theksoi: “Partitë parlamentare shqiptare kanë përgjegjësinë e madhe, por edhe shansin që t’i japin Maqedonisë një shumicë të qëndrueshme dhe të ndikojnë që vendi të dalë nga kriza, të rifutet në rrugën e reformave e procesit të integrimit euro-atlantik. Me votën e tyre, zgjedhësit u kanë kërkuar aktorëve politike, të të dy komponentëve shtetformues të Maqedonisë, një kontratë të re për vendin. Pikërisht këtë u kemi thënë aktorëve politikë shqiptarë: të tregohen në lartësinë e momentit, të marrin përgjegjesitë që u takojnë, të respektojnë kërkesat e elektoratit të tyre, të ngrihen mbi dasitë ideologjike dhe të bashkohen përmes një programi që shkon në të mirë të zgjedhjesve të tyre dhe Maqedonisë. Në këtë kontekst, ne mbështesim marrëveshjen e partive parlamentare shqiptare, e cila përbën një platformë të qartë e koherente në respekt të frymës se barazisë në Maqedoni. Ne mbështesim gjithashtu krijimin e Tryezës Ndërpartiake si një mekanizëm koordinimi e harmonizimin të aksionit politik dhe për komunikimin e brendshëm dhe të jashtëm. Platforma thekson frymën e Marrëveshjes të Ohrit, një gur themeltar për stabilitetin dhe zhvillimin e Maqedonisë, dhe nevojën e masave për të avancuar drejt forcimit të Maqedonisë europiane, demokratike dhe shumëetnike”.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.