PD, Basha: Gripi pretekst. Shkollat, të mbyllura prej të ftohtit
08/01/2016
PD, Basha: Gripi pretekst. Shkollat, të mbyllura prej të ftohtit
Në një reagim në rrjetin social “Facebook” rreth mesditës së kësaj të diele, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shkruar në lidhje me shtyrjen e fillimit të mësimit nëpër shkolla, që sipas tij bëhet për shkak të të ftohtit dhe jo gjendjes gripale.

“Shkollat ku shkojnë pjesa më e madhe e fëmijëve janë pa ngrohje, pa xhama dhe akull të ftohta. Ndaj, rreziku i vërtetë për fëmijët janë temperaturat e këtyre ditëve”, shkruan në fillim Basha, i cili shprehet se “gripi është pretekst për të shmangur tragjedinë që mund të shkaktohet nga mungesa e kushteve minimale në shkolla”.

Kreu i opozitës akuzon kryeministrin Rama se ka harxhuar 400 mln euro për projektin “megaloman dhe abuziv të fasadave dhe shesheve - siç shkruan, - ndërkohë që i ka lënë shkollat e vendit në gjendje të mjeruar”. Sipas Bashës, Rama ka deklaruar se nuk ka parà për shkollat, ndaj ka vendosur që t’ua japë edhe ato me koncesion klientëve të tij.

Basha shprehet në vijim se “gripi, që qeveria e përdor si pretekst për mbylljen e shkollave, është shenja më e qartë e falimentimit të sistemit të Shëndetësisë. Mbi 300 mln euro koncesione ka dhënë Rama në shëndetësi, për klientët e tij, pa u sjellë asnjë përfitim njerëzve apo të sëmurëve”.

Sipas kreut të opozitës, qeveria nuk ka fonde për të vaksinuar grupet e njerëzve që rrezikohen më shumë nga grupi, ndaj dhe shprehet se reformat e bujshme rilindase kanë qenë propaganda për të verbuar njerëzit, falë grabitjes së pasurive dhe fondeve publike me të cilat po pasurohet Rama dhe klientët e tij.

“Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë e keqe për ne dhe të ardhmen tonë. Le ta ndalim së bashku këtë të keqe. Le ta vëmë qeverinë në shërbim të njerëzve”, mbyll statusin e tij Basha.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.