LSI, Vasili: Po ndjekim rastin e Haradinaj. Zgjidhja e vetme, lirimi i tij

07/12/2016

LSI, Vasili: Po ndjekim rastin e Haradinaj. Zgjidhja e vetme, lirimi i tij
Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka dalë paraditen e kësaj të shtune në një deklaratë për mediat, lidhur me rastin e Ramush Haradinajt, që vazhdon të mbahet i burgosur në Francë.

Në deklaratën e tij, Vasili ka bërë me dije se, strukturat shtetërore të LSI-së janë vënë në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë kryetarit të AAK-së.

“Kryetari Ilir Meta ka komunikuar me familjen e Haradinajt, ambasadorin tonë në Francë dhe faktorë të tjerë në kosovë dhe jashtë saj. gjithashtu, ministri Manjani i është drejtuar me një letër zyrtare homologut francez ku kërkon moskryerjen e procedurave të ekstradimit, pasi bëhet fjalë për një veprim absurd që nuk ndihmon dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë dhe njëkohësisht krijimin e një klime të re komunikimi”, ka thënë Vasili.

Sipas tij, arrestimi i Haradinajt ka qenë një veprim i gabuar në kohën e gabuar. “Fitimi i momentit të humbur do të ishte vetëm një, lirimi i Haradinajt dhe çlirimi nga këto procedura, duke ndaluar praktika të tilla të paligjshme që bien ndesh me përpjekjet që të gjithë faktorët po bëjnë për të rivendosur marrëdhëniet me Serbinë”, ka thënë Vasili.

Ai ka shtuar se, kjo ngjarje ishte një zhvillim negativ që në qendër pati një person që ka demonstruar raportin më luajal me drejtësinë, duke u paraqitur vullnetarisht në Gjykatën e Hagës dhe duke fituar në të dyja rastet.

“Ka qenë nga ata njerëz që është përballur me drejtësinë dhe nuk i ka bishtnuar asnjëherë. Lirimi i tij është zgjidhja e vetme dhe po ashtu shqyrtimi i kësaj situate për shmangien e praktikave të tilla në nivel europian. Ne nxisim çdo praktikë që do të nxiste lirimin e menjëhershëm të Haradinaj dhe do ta ndjekim këtë çështje minutë pas minute”, ka shtuar Vasili.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.