Probleme nga moti me ngrica në Kosovë, shtyhen 3 fluturime nga “Adem Jashari”
06/01/2017
Probleme nga moti me ngrica në Kosovë, shtyhen 3 fluturime nga “Adem Jashari”
Temperaturat e ulëta dhe reshjet e vazhdueshme të dëborës në Kosovës kanë sjellë probleme të mëdha jo vetëm në akset malore dhe autostrada, por edhe në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

Deri në njoftimin e parë të zyrtarit për informim të aeroportit, Unidon Krasniqi, ishte realizuar vetëm një fluturim, ndërkohë që 3 të tjerë ishin shtyrë për t’u kryer më vonë gjatë ditës. “I lusim udhëtarët që, nëse ka anulime apo shtyrje të fluturimeve, të qëndrojnë në kontakt me agjencitë e tyre”, tha thënë ai për Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Sa i përket Prishtinës, zyrtarë të komunës kanë njoftuar se rrugët janë të kalueshme për të gjitha mjetet, por udhëtimet duhen bërë me kujdes të jashtëzakonshëm për shkak të motit me ngrica.

“Në këto temperatura as hedhja e kripës nuk ka kurrfarë efekti. Prandaj iu bëjmë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të mos drejtojnë automjetet pa pajisjet e përshtatshme dimërore, për të shmangur rreziqet dhe vonesat në udhëtim”, thuhet në njoftim.

Por, si pasojë e ngricave, edhe autostrada mes Fushë Kosovës dhe aeroportittë Prishtinës është bërë i kalueshëm me vështirësi, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh. Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku ka thënë se gjendja është e përballueshme dhe prioritet u janë dhënë rrugëve malore, si akset Prizren-Suharekë, Malishevë-Rahovec etj. Probleme janë vërejtur në aksin Prevallë-Prizren dhe Fushë Pajtim-Doganaj me destinacion Brezovicën.

Ndërkohë, bora dhe era e fuqishme kanë shkaktuar kaos dhe dëme të mëdha edhe në qytetin e Istogut. Situata atje paraqitet e rëndë, me pjesë të ndryshme të hedhura mbi rrugë nga era e fortë, siç konfirmohet edhe nga kryetari i komunës Haki Rugova, i cili shton se në Istog mungon edhe energjia elektrike.

Gjithsesi, gjendja e emergjencës nuk është shpallur ende, pavarësisht se ekipet e ndihmës kanë vështirësi të dalin në terren dhe situata improvizohet si të ishte një gjendje e tillë.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.