AAK: Po diskutohet lirimi me kusht i Haradinajt

06/01/2017

Anëtari i AAK-së, Ahmet Isufi sqaroi se po diskutohet lirimi me kusht i kreut të kësaj partie, Ramush Haradinaj, të burgosur në Francë mbi bazën e një urdhërarresti serb.

Isufi i tha televizionit “KTV” se ndalimi i Haradinajt është i pakuptimtë dhe “i dëmshëm edhe për shtetin e Kosovës, duke qenë se ndalimi ndodhi në kohën kur ai është i pajisur me pasaportë diplomatike”.

Dhoma e hetuesve e Gjykatës së Apelit në Colmar ka vendosur të presë mbi vlefshmërinë e kërkesës ligjore të Serbisë. Të enjten, ajo sqaroi se Haradinaj do të mbahet në paraburgim deri sa Beogradi të paraqesë zyrtarisht kërkesën e ekstradimit, e të sjellë dhe faktet shtesë që pretendon se disponon, për të cilat, sipas tij, ish-kreu i UÇK-së nuk është gjykuar nga Haga.

Në të dyja herët që ka dalë përpara Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Haradinaj, njëkohësisht ish-kryeministër i Kosovës është shpallur i pafajshëm.

Ministria serbe e Drejtësisë njofton se do të kërkojë një afat sa më të shkurtër ekstradimi. Sipas shtypit vendas, kësaj kërkese ajo do t’i bashkëngjisë edhe dokumentacionin e përkthyer në frëngjisht.

Prokurori i Serbisë për krime lufte, Milan Petroviç deklaron se procesi kundër Haradinajt do të vazhdojë derisa ai të jetë gjallë. Haradinaj, - ishte argumenti i tij, - nuk mund të lirohet derisa të dalë përpara një gjykate kompente, e në këtë rast, një gjykatë e tillë do të ishte vetëm ajo në Serbi.

Isufi, partia e të cilit në fillim kishte përkrahur dialogun me Serbinë, ka kërkuar ndalimin e dialogut me Beogradin. Arrestimi i Haradinajt të akuzuar nga serbët për krime lufte e ka vështirësuar, sipas anëtarit të AAK-së, normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Serbia rezulton të ketë plotësuar vazhdimisht fletarreste ndaj qytetarëve të Kosovës.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.