Haradinaj mbetet në burg, reagon AAK. Ambasadori francez: Po të na njoftonte për vizitën...
05/01/2017
Haradinaj mbetet në burg, reagon AAK. Ambasadori francez: Po të na njoftonte për vizitën...
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj doli para Gjykatës së Apelit në Colmar, në Francën lindore, e cila vendosi ta mbajë atë nën arrest deri sa Serbia të paraqesë kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij. Pas marrjes së kërkesës zyrtare, thuhet në një deklaratë të prokurorit të Përgjithshëm, gjykata do të vendosë për vlefshmërinë e saj.

Menjëherë pas vendimit ka reaguar partia që Haradinaj drejton, duke e quajtur mbajtjen e tij në paraburgim si të papranueshme. “Marrja e një vendimi të tillë, në bazë të një fletarresti të Serbisë për krimet e pretenduara, për të cilat Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor”, thuhet në deklaratën e AAK-së, e cila kujton se Franca është një nga shtetet e para që ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Mediet kosovare citojnë edhe ambasadorin e Francës në Prishtinë, Didier Chabert, që thekson se “po bëhet maksimumi që çështja e ndalimit të Haradinajt të zgjidhet sa më shpejt”. Sipas tij, ndalimi i Haradinajt është një procedurë e rregullt, pasi ai figuron në listën e të kërkuarve të Interpolit, ku Franca është anëtare, megjithatë sipas ambasadorit “kjo histori mund të mos kishte ndodhur, nëse kryetari i AAK-së do të kishte informuar Ambasadën franceze se do të udhëtonte drejt këtij shteti”.

Pas arrestimit të Haradinajt, qeveria kosovare reagoi duke refuzuar kërkesën e presidentit serb Tomislav Nikoliç që të vizitonte Kosovën me rastin e Krishtlindjes ortodokse. Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës tha se refuzimi erdhi si pasojë e vonesës në paraqitjen e kërkesës për vizitë, siç parashikohet në marrëveshjen për lejimin e vizitave të zyrtarëve të lartë ndërmjet dy shteteve.

Në anën tjetër, autoritetet kosovare të Drejtësisë shpallën në kërkim 57 serbë, të dyshuar për krime lufte në Kosovë gjatë viteve ’98-’99. Kërkesat për arrestim ndërkombëtar të tyre u lëshuan me vendim të gjyqtarëve të procedurës paraprake të EULEX-it dhe gjyqtarëve kosovarë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.