Kosovë, Thaçi: Vrasjet e dëshmitarëve sollën Gjykatën Speciale
04/01/2017
Kosovë, Thaçi: Vrasjet e dëshmitarëve sollën Gjykatën Speciale
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në një prononcim për “KosovaPress” ka thënë se Gjykata Speciale është produkt i kërcënimit dhe vrasjes së dëshmitarëve pas luftës, e jo rezultat i vendimeve politike të gabuara të institucioneve, siç akuzohen këto të fundit.

“Edhe në vitin 2017 na presin sfida që kërkojnë angazhim të përgjithshëm. Një nga këto sfida, padyshim që është edhe Gjykata Speciale, për të cilën eksponentë të caktuar të politikës po akuzojnë institucionet e Kosovës për vendimet e tyre. Është e qartë se Gjykata Speciale është produkt i kërcënimit dhe vrasjes së dëshmitarëve pas luftës dhe jo rezultat i vendimeve politike të gabuara”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë më tej se askush nuk mund të akuzojë sot dikë tjetër për krimet e veta apo të rrethit të tij, e aq më tepër institucionet shtetërore. “Vendimi i institucioneve të Kosovës ka qenë vendim strategjik”, është shprehur Thaçi.

Sipas presidentit të Kosovës, përpjekjet për t’i arsyetuar krimet, se me gjasë janë bërë në emër të kauzës kombëtare, nuk janë të justifikueshme dhe e dëmtojnë të ardhmen e vendit.

“Përpjekjet për t’i arsyetuar krimet duke thënë se janë bërë në emër të kauzës kombëtare nuk janë të justifikueshme, por janë në dëm të interesit dhe të ardhmes së shtetit tonë. Vlerat e lirisë sonë dhe luftës së UÇK-së i cënojnë pikërisht ata që i kanë bërë këto krime. Ata që i kanë kryer këto veprime, individë apo grupe, kanë fyer e cënuar vlerat e lirisë dhe vet luftën e UÇK-së”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në fund, presidenti Thaçi është shprehur se “ne duhet t’i ruajmë vlerat çlirimtare dhe të mos lejojmë askënd që t’i degjenerojë ato. Prandaj, është në interes të Kosovës që të hiqet çdo dyshim për luftën e pastër të UÇK-së”.

Së fundi, akuza për krijimin e Gjykatës Speciale në drejtim të institucioneve janë bërë ditët e fundit kryesisht prej udhëheqësve politikë opozitarë.

/ Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.