Plani operacional i Policisë së Kosovës për Vitin e Ri
30/12/2016
Plani operacional i Policisë së Kosovës për Vitin e Ri
Policia e Kosovës ka njoftuar gjatë kësaj të premteje se ka përgatitur një plan operativ për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike në të gjithë territorin e vendit. Përmes një njoftimi për mediet, policia ka apeluar ndaj të gjithë qytetarëve që të respektojnë dispozitat ligjore për rregullat e trafikut rrugor.

Gjithashtu, policia ka bërë apel ndaj prindërve, që të jenë të kujdesshëm për parandalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike nga fëmijët.

“Referuar festave të fundvitit, Policia e Kosovës vlerëson se nga aspekti i rendit dhe sigurisë publike, përmbyllja e këtij fundviti dhe fillimi sa më i mbarë i Vitit të Ri 2017 është prioriteti ynë. Kjo mund të arrihet vetëm me një përkushtim dhe vigjilencë të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë”.

Sikurse gjatë viteve të kaluara, Policia e Kosovës ka përgatitur planin operativ edhe për festat e këtij fundviti, për të ofruar siguri, rend dhe qetësi publike kudo.

“Qëllimi i këtij planifikimi dhe angazhimi të Policisë së Kosovës është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin, parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale të natyrave të ndryshme”.

Pjesë e planit është edhe shtimi i pranisë policore në trafikun rrugor, si dhe në ambientet e hapura, në sheshet kryesore të qyteteve të ndryshme, ku do të mbahen organizime festive.

“Me qëllim të parandalimit të aksidenteve të mundshme në trafik, Policia e Kosovës apelon te të gjithë qytetarët e vendit, që të respektojnë dispozitat ligjore për trafikun rrugor, të respektojnë shenjat rrugore, kufizimet e shpejtësisë, t’u përshtaten kushteve të rrugës, të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit të vendit, si dhe të mos drejtojnë automjetet nën ndikim të lodhjes dhe alkoolit”.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.