Turqi, presidenti Thaçi nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”
30/12/2016
Turqi, presidenti Thaçi nderohet me titullin “Doctor Honoris Causa”
Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, presidenti Thaçi është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” në Universitetin “TOBB”, si dhe ka vizituar Odën Tregtare të Ankarasë, ku ka folur për potencialin ekonomik të Kosovës dhe ka ftuar investitorët potencialë që të investojnë në Kosovë.

Në takimin e organizuar nga Oda Tregtare e Ankarasë, që ka mbi 150 mijë anëtarë, presidenti Thaçi ka thënë se investitorët nga Turqia kanë bërë disa prej investimeve më të rëndësishme në Kosovë. “Këta kanë hapur rrugën edhe për investitorë dhe investime të tjera”, është shprehur Thaçi.

Pasi ka treguar me shifra për nivelin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është “shtet i ri me potencial të madh” dhe ka shpalosur mundësitë për investime në bujqësi, energji dhe sektorë të tjerë.

Në Universitetin për Ekonomi dhe Teknologji “TOBB”, presidenti Thaçi ka pranuar titullin “Doctor Honoris Causa”, me motivacionin “për kontribut në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, për arritje në zhvillim ekonomik dhe social, për paqen në Ballkan, dialogun mes komuniteteve dhe zhvillimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë”.

Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka arritur shumë që prej shpalljes së pavarësisë së shtetit.

“Ende nuk janë bërë 9 vite që nga shpallja e Pavarësisë, e Kosova ka nënshkruar MSA-në me BE-në, që është mirënjohje e sukseseve të Kosovës në reformat në ekonomi, në instalimin e ligjit e rendit dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, u shpreh  Thaçi.

Presidenti ka thënë gjithashtu se Kosova është sot shembull i dialogut, pajtimit dhe bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.