Reforma Zgjedhore, PS rrëzon ekspertët për “listat e hapura”
14/11/2016
Ekspertë të çështjeve zgjedhore kërkojnë të bëhen pjesë e procesit për hartimin e një Kodi të ri Zgjedhor, me propozime që tashmë janë pjesë e tryezës së punës. Edhe për këto amendime, Oerd Bylykbashi dhe Taulant Balla, dy bashkëkryetarë të komisionit, janë të ndarë në qëndrime.

Ndërsa opozita kërkon kohë për t’i shqyrtuar, mazhoranca shprehet pro, me përjashtim të listave të hapura.

“Të dy bashkëkryetarët mirëpritën propozimet tona, por jo çfarë është sjellë në tavolinë do të jetë pjesë e dokumenteve mbi të cilat ne do të marrim vendimet”, u shpreh Kristaq Kume, ekspert i çështjeve zgjedhore.

“Do të merren në shqyrtim nga komisioni për t’u dhënë një përgjigje këtyre shqetësimeve, në mënyrë që në fund fare të gjenden zgjidhje praktike, të besueshme”, tha Oerd Bylykbashi, bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore.

“Të gjitha këto organizata joqeveritare i propozojnë Kuvendit të Shqipërisë, ashtu sikurse kemi bërë ne zyrtarisht, depolitizimin e administratës zgjedhore. Mbështetet propozimi i ardhur nga Partia Socialiste e Shqipërisë për të drejtën e shtetasve shqiptarë për të votuar. Unë e kam thënë qartë dhe prerë, që prej ditës së parë, se nuk është në mandatin e këtij komisioni të shqyrtojë rekomandime që nuk bëjnë pjesë në rekomandimet e OSBE-ODIHR për zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2015”, tha Taulant Balla, bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Në mbledhjen e parë dhe të vetme të Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore në shtator të këtij viti, socialistët dhe demokratët vendosën dhjetorin, si afatin e fundit për të bërë ndërhyrjet në Kodin Zgjedhor.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.