Bashkitë u fshihen qytetarëve
28/10/2016
Niveli i transparencës për qytetarët dhe mediat nga autoritetet publike në vendin tonë mbetet ende një problem. Raporti i fundit i BIRN tregon se pjesa më e madhe nga 61 bashki në gjithë Shqipërinë nuk plotësojnë thuajse gjysmën e kritereve që duhet për transparencë ndaj qytetarëve dhe medias.

Në monitorimin e financuar nga “Lëviz Albania” evidentohet se strukturat e bashkive nuk zbatojnë ligjin, që detyron çdo bashki që të ketë koordinator për transparencën.

“Një administratë që është rritur dhe kultivuar dhe ka punuar për vite të tërë, e lidhur kjo edhe me të kaluarën, me mentalitetin që çdo gjë që është zyrtare nuk mund të jetë publike, kur në të vërtetë që çdo gjë që është zyrtare, pikërisht se është zyrtare është publike, është transparente”, tha Besnik Dervishi Komisioner për të drejtën e informimit.

Por cilat bashki kanë probleme me transparencën sipas këtij raporti? Bie në sy niveli i kënaqshëm i Bashkisë së Durrësit dhe Gramshit dhe renditja e Bashkisë së Tiranës tek 5 më problematiket. Por bashkia e kryeqytetit, ka një pasqyrim tjetër të situatës për periudhën nga muaji qershor kur është bërë monitorimi.

“Nga muaji qershor, periudhë të cilës i referohet ky raport, e deri në muajin tetor ku jemi, bashkia e Tiranës e ka përmirësuar ndjeshëm programin e transparencës, sa i takon të drejtës së informimit, transparencës financiare, konsultimeve publike apo legjislacionit. Aktualisht që flasim jemi mbi 70 përqind të plotësimit të saj. Gjithashtu, për të qenë sa më në kontakt me qytetarët dhe që këta të fundit të kenë akses në bashki. Prej gati një viti, bashkia ka bërë publik aplikacionin “Tirana Ime”, i cili funksionon si një lloj komunikimi virtual me qytetarët për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që ata vlejnë në qytet. Synimi i Bashkisë së Tiranës është që brenda vitit të plotësojë të gjitha pikat e programit të transparencës, duke mbushur detyrimin për të qenë sa më e hapur për qytetarët e saj”, thuhet nga Bashkia e Tiranës.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.