Alarmi italian për refugjatët, ambasadori Cutillo: Reagim dhe nga BE
15/03/2016 19:50
“Nëse vala e emigrantëve sirianë do të mbërrijë në Shqipëri atheherë ndihma nga Bashkimi Europian duhet të jetë shumë herë më e madhe se ajo që po jep Italia”, ky është qëndrimi i ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo.

“Ne do të mundësojmë sjelljen e disa automjeteve përfshirë pajisje sikurse edhe një numër të limituar forcash policore për të forcuar menaxhimin e kontrollit të kufirit nga autoritetet shqiptare. Kjo na është kërkuar nga autoritetet shqiptare. Unë shpresoj se kjo ndihmë nuk do të jetë e nevojshme pasi situata e deritanishme në kufi mbetet e pandryshuar”, deklaroi ai.

Ambasadori italian mbështet qëndrimin e shprehur nga kryeministri Edi Rama për refugjatët sirianë.

“Sa unë arrij të kuptoj mesazhi është shumë i qartë. Shqipëria nuk do të ndërtojë barriera fizike për ta bërë të pamundur për të huajtë që duan të kalojnë. Të tjera vende e kanë bërë, por Shqipëria është e vendosur mos ta bëjë. Ky është një angazhim i rëndësishëm. Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka deklaruar se nuk ka kapacitete të mirëpresë apo strehojë, përfshirë trajtimim dinjitoz të qindra apo dhjetëra mijëra njerëzve. Mendoj gjithashtu se kjo është një deklaratë e rëndësishme dhe objektive e cila duhet të konsiderohet”, vijoi ambasadori Cutillo.

Pas përfundimit të një fjale të mbajtur në Forumin e Politikave të Jashtme, në Institutin Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, Top Channel e pyeti ambasadorin se çfarë kompikacionesh në fushën e sigurisë sjell një valë e mundshme emigrantësh në territorin shqiptar.

“Për momentin nuk kemi të dhëna se një gjë e tillë do të ndodh. Është e vështirë të flasim për pasojat e diçkaje që nuk e dimë ende nëse do të ndodh dhe si do të ndodh. Natyrisht se do të ketë shumë masa për t’u siguar nëse diçka e tillë ndodh, për të mos pasur probleme në aspektet e sigurisë nga njerëzit që do të vijnë dhe popullsinë shqiptare”, deklaroi Alberto Cutillo.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.