Qendra shqiptaro-serbe, bashkëpunim i shoqërive civile mes dy vendeve

27/10/2015 20:10

Me publikimin e një sondazhi për përceptimin e qytetarëve shqiptarë për marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Serbisë, është inaguruar Qendra për marrëdhëniet Shqiptaro-Serbe.

Kjo qendër zyrtarizon bashkëpunimin e shoqërisë civile në Tiranë e Beograd dhe konkretisht bashkëpunimin mes Institutit të Studimeve Ndërkombëtare nga Shqipëria dhe Lëvizjen Europiane të Serbisë. Kjo me bindjen se vetëm bashkëpunimi kapërcen ngërçin e mungesës së komunikimeve të së shkuarës.

“Ky instrument do të ndihmojë në përmirësimin e klimës në marrëdhënet mes dy vendeve”, u shpreh Albert Rakipi nga Instituti për Studime Ndërkombëtare.

Megjithë përceptimin, shoqëria shqiptare në shumicën e saj më të madhe i mendon si “normale” marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë. 45.6% e të anketuarve mendojnë kështu, përkundër rreth 29% e të pyeturve që i mendojnë “të këqija”.

Nje kuotim më të lartë kanë marrëdhëniet mes dy qeverive. 54.7%  e të pyeturve thonë se marrëdhëniet mes Beogradit zyrtar dhe Tiranës zyrtare i shohin si “normale” marrëdhëniet, ndërsa 18.8% si “të këqija”.

Në shumicë dërrmuese, të anketuarit kanë besimin se marrëdhëniet do të përmirësohen në të ardhmen, ndërsa surprizuese është bindja e qytetarëve shqiptarë, në mbi 90%, se kjo është në të mirë të të dyja vendeve.

Shqiptarët shohin Greqinë si kërcënimin e tyre të pare. 31.6% e të anketuarve e mendojnë këtë, ndërsa Serbinë e shohin të dytën në listën e disa vendeve të përfshira në anketim me 27.8%.

Qytetarët shqiptarë besojnë në shumicën e tyre se mes Shqipërisë dhe Serbisë janë tashmë kushtet për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore, por shumica dërrmuese e të anketuarve, në masën 72%, nuk ka asnjë dyshim se përgjegjëse për ndeshjen ishte Serbia.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.