Ndryshon tarifa e skanimit në dogana. Koncesionari, marrëveshje me qeverinë

12/06/2015

Tarifa, që bizneset do të paguajnë për skanimin e konteinerëve në dogana nuk do të jetë 39 euro për deklaratë, si në variantin fillestar, por do të ulet në 22 euro. Qeveria njoftoi se ka arritur të ndryshojë me mirëkuptim koncesionin e shumëkundërshtuar nga biznesi, duke bërë të mundur - sipas saj - uljen e tarifave dhe kostove për sipërmarrjen.

Sipas marrëveshjes, që Këshilli i Ministrave ka dërguar në Parlament, skema e re e pagesës do të jetë me tarifa të përshkallëzuar në dy blloqe. Më konkretisht, për deklaratat doganore me vlerë mbi 1 mijë euro, biznesi do të paguajë 22 euro për shërbimin e skanimit, ndërsa për deklaratat nën këtë vlerë, pagesa do të jetë 5 euro.

Qeveria thotë se, përmes ndryshimit të negociuar me mirëkuptim, i ka kursyer ekonomisë dhe sipërmarrjeve më shumë se 100 milionë euro për 15 vitet e ardhshme. Sipas relacionit të marrëveshjes, me skemën e parë, kompania koncesionare “Rapiscan” do të përfitonte 316 milionë euro për 15 vitet e koncesionit. Por, me rishikimin e marrëveshjes, kjo shumë kufizohet në 210 milionë euro, ose 106 milionë euro më pak.

Edhe pse ka reduktuar tarifën, nga 39 në 22 euro për deklaratë, ky koncesion rëndon jo pak kostot mbi biznesin, veçanërisht në disa industri, si ajo e fasonit, të cilat kanë një numër të madh deklaratash doganore në vit. Sipas përfaqësuesve nga kjo industri, koncesioni mund të rrisë kostot deri në 7 mijë euro në muaj për kompani të caktuara.

Koncesioni i kontestuar i doganave
Prishja e kontratës përfundoi në Arbitrazh, zgjidhja me marrëveshje

Koncesioni i skanimit në dogana u dha nga qeveria e mëparshme, në prill të vitit 2013. Që në fillim, ky koncesion u kundërshtua fort nga biznesi, për shkak të kostove të larta. Pas qershorit të vitit 2013, me rotacionin politik, qeveria e re tentoi ta prishë në mënyrë të njëanshme kontratën. Por, kompania “Rapiscan” e çoi çështjen në Arbitrazh, duke kërkuar 350 milionë euro dëmshpërblim nga qeveria shqiptare.

Qeveria pajtoi si konsulent kompaninë “Omnia Strategy”, një firmë ligjore në pronësi të “Cherie Blair”, gruas së ish-kryeministrit britanik Tony Blair. Sipas një vendimi, të bërë publik pak muaj më parë, qeveria i pagoi kompanisë 500 mijë euro për konsulencën. Në marrëveshjen që ka dërguar në Kuvend, qeveria bën të ditur se, zgjidhjen me mirëkuptim e ka rekomanduar me forcë edhe kjo kompani.

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.