Shkelje në Bashkitë Sarandë e Durrës
07/07/2013 14:30
Shkelje në Bashkitë Sarandë e Durrës
Sarande, ndertimet abuzive dhe lejet e parregullta cojne ne paditjen e ish-kryetarit per shperdorim detyre
Në një njoftim për shtyp, Kontrolli i Lartë i Shtetit, bëri të ditur se ka dërguar kallzim për ndjekje penale në Prokurori, për ish-kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, i cili nga viti 2003 deri në 2011 ka dhënë 129 leje ndërtimi brenda vijës kufizuese të qendrës së qytetit, në kundërshtim me të gjitha vendimet e KRRTSH-së.

Sipas KLSH-së, referuar numrit të konsiderueshëm të shkeljeve të dispozitave ligjore në fushën e urbanistikës, ka dërguar për ndjekje penale edhe dy juristë dhe tre ish-drejtorë të kësaj bashkie.

Gjatë auditimit në Bashkinë Durrës, KLSH ka konstatuar shkelje të rënda ligjore në lidhje me zbatimin e procedurave të prokurimit në “Rikonstruksionin e bulevardit kryesor Dyrrah”, me një dëm ekonomik në vlerën 19,3 milionë lekë dhe në prokurimin “Gjelbërimi në qytet”, me dëm financiar 7,1 milionë lekë.

Sipas KLSH-së, gjatë tenderave janë skualifikuar operatorë me oferta më të ulta dhe tenderat u janë dhënë atyre me oferta më të larta. Sipas KLSH-së, përgjegjës për këtë janë dy nënkryetarët e Bashkisë, Adi Çela dhe Zhuljen Varfi, që kanë qenë në cilësinë e kryetarëve të komisionit të ofertave.

Bashkë me dy nënkryetarët, KLSH ka kërkuar ndjekje penale edhe për 9 anëtarë të komisioneve të ofertave. Gjithashtu, në Durrës, janë zbuluar shkelje edhe në mosvjeljen e taksave, duke shkaktuar mungesën në arkën e Bashkisë të më shumë se 110 milionë lekëve. / Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.