Vrasja e shqiptarëve në Maqedoni
29/02/2012
Vrasja e dy të rinjve shqiptarë nga një polic maqedonas që ndodhi një ditë më parë në Gostivar, ka shkaktuar reagime të shumta në Maqedoni. Ambasadori amerikan në Shkup, Poll Wohlers kërkoi hetimin e rastit, ndërsa apeloi që procesi hetimor të pritet me qetësi.

“Nuk e di...kjo u ndodh njerëzve që janë të përfshirë në dy grupe të ndryshme etnike, besojë se sundimi i ligjit duhet të dominojë... dhe të vijojë me një proces normal hetimor. Mendoj se të gjithë duhet të presin që kjo të ndërmerret me qetësi dhe të pritet që procesi ligjor të kryhet, sepse kështu funksionon sundimi i ligjit dhe demokracia dhe ndaj nevojitet që t’i ndjekim këto rregulla”, thotë Paul Wohlers ambasador i SHBA-ve në Shkup.

Nga partia opozitare RDK, thonë se kjo ngjarje vret bashkëjetesën në Maqedoni, ndërsa kërkojnë shkarkimin e zëdhënësit të policisë Ivo Kotevski.

“Rilindja Demokratike Kombëtare reagon ashpër ndaj deklaratave të tejskajshme tendencioze të zëdhënësit të MPB-së Ivo Kotevski i cili jashtë gjitha normave morale dhe etike, në deklaratat zyrtare arsyetoi ekzekutorin duke e shfrytzuarë fjalën “vetëmbrojtje”. U bëjmë thirrje bartësve shqiptarë të pushtetit qendror që në mënyrë urgjente të bëhet shkarkimi i menjëhershëm i tij”, deklaroi Izet Zeqiri, deputet i RDK-s.   

I pyetur nëse BDI do të kërkoj shkarkimin e zëdhënësit të MPB-së Ivo Kotesvski, ministri shqiptarë i Drejtësisë nga radhët e BDI-së Blerim Bexheti, tha se nuk është i njohur me deklaraten e zëdhënësit të policisë.

"Unë nuk kam informacione në detaje se çka ka qenë deklarata e zëdhënësit, me siguri MPB-ja, pastaj prokuroria vazhdojnë dhe bëjnë  punën, nuk ka asnjë arsye tjetër që të mos ndodh kjo", tha Blerim Bexheti, Ministër i Drejtësisë në Maqedoni.

Dy të rinjtë shqiptarë, Imran Mehmeti 29 vjeç dhe Besnik Shehapi 26 vjeç,
të martën u vranë nga polici Jakim Trifunovski, 39 vjeç pas një zënke banale për parkim.

Të mërkurën gjykatësi hetues i ka shqiptuar policit maqedonas 30 ditë paraburgim, ndërsa të rinjtë e vrarë shqiptarë janë varrosur në Gostivar. Qindra nxënës kanë shprehur revoltën e tyre nëpër rrugët e Gostivarit, kundër vrasjes së dy të rinjve shqiptarë ndërsa të enjten pritet të protestojne mijëra qytetarë. / Top Channel



MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.