Balla-Doshi: Lëmë imunitetin
23/01/2012
Pas kërkesës së prokures së përgjithëshme për heqjen e imunitetit të deputetëve socialistë Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Bare, dy prej tyre kanë reaguar nëpërmjet deklaratave për median.

Deputeti Taulant Balla thotë se, “Ai që duhet të shkojë para gjyqit është Saliu, është Lulzim Basha. Ne jemi gati të heqim imunitetin e cdo deputeti që kërkon prokuroria, por të hetosh Besnik Baren e të mos hetosh Saliun është qesharake!”. Taulant Balla në fund të deklaratës thotë se: “Të më hetosh mua dhe jo Lul Bashën është qesharake! Ne duam drejtësi”. Ndërsa deputeti Tom Doshi, në fillim të deklaratës shpreh gatishmërinë e tij të menjëhershme për t’u vënë në dispozicion të hetimeve për 21 Janarin.
Ne jemi gati të heqim imunitetin e cdo deputeti që kërkon prokuroria, por të hetosh Besnik Baren e të mos hetosh Saliun është qesharake

Taulant Balla
Deputet i Partisë Socialiste


“Do të votoj edhe vetë pro kësaj kërkese ditën që do vijë në Parlament. Unë kam qenë në këtë protestë si deputet i Partisë Socialiste dhe kam demonstruar i qetë dhe paqësisht. Edhe kur policia dhe garda filluan të godasin, rrahin dhe më pas vrasin protestuesit, unë kam kontribuar për të qetësuar protestuesit, për të ndaluar aktet e dhunshme. Cdo hap i imi atë ditë është filmuar dhe cdo gjë është transparente”, thotë Tom Doshi.

Por deputeti Doshi thekson se, “Prokuroria duhet të gjejë sa më shpejt vrasësit me pushtet, ata që kanë urdhëruar vrasjet”.

Në vijim të deklaratës deputeti socialist i qarkut të Shkodrës thotë se: “Kur vret kryetari i Gardës së Republikës, askush nuk ka dyshim se urdhërin e ka dhënë kryeministri. Kur provat e vrasjeve dhe urdhërave fshihen nga stafi i Këshillit të Ministrave, askush nuk ka dyshim se urdhëri është dhënë nga kryeministri. Sot është hedhur një hap i madh për vënien në vend të drejtësisë për krimin e 21 janarit”. Doshi e mbyll deklaratën duke i uruar punë të mbarë prokurorisë.

Tahiri: Të hetohen Berisha e Basha

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së dhe kryetari i saj për Tiranën, Saimir Tahiri reagoi pas konferencës për shtyp të kryeprokurores Ina Rama. Në emër të kryetarit të PS-së dhe të gjithë deputetëve socialistë, Tahiri shprehu gatishmërinë për të mbështetur institucionin e prokurorisë në hetimet e saj për zbardhjen e plotë të 21 janarit, duke vetëofruar heqjen e imunitetit. Të njëjtin qëndrim ka shprehur edhe vetë kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i cili ka theksuar gadishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të hetimeve.

“Ne mbështesim hetimin e 21 janarit dhe jemi gati të votojmë heqjen e imunitetit për të ndihmuar në zbardhjen e të vërtetës. Vetë kryetari i PS, Edi Rama thotë se është në dispozicion të prokurorisë, duke qenë se nuk ka imuniteti si deputetet. Unë personalisht si deputet jam në dispozion të prokurorisë. Për 21 janarin asnjë nga ne nuk ka patur e nuk ka imunitet, jemi të gjithë gati të hetohemi deri në fund, jo vetëm 3 kolegët tanë. Asnjë nga ne nuk ka bërë më pak se tre kolegët tanë që ju cituat dhe asnjë prej tyre nuk ka bërë më shumë se sa të ushtrojë të drejtën kushtetuese të demonstrimit paqësor. Ne jemi të gjithë gati të hetohemi deri në fund”, tha deputeti Tahiri.

Për selinë rozë kërkesa për hetim vetëm të 3 deputetëve, Tom Doshi, Besnik Baraj dhe Taulant Ballës është jo e plotë. Për socialistët hetimi duhet të nisë menjëherë edhe për kryeministrin Sali Berisha, ish-Ministrin e Brendshëm, Lulëzim Basha dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Lezhja.

“Opozita shqiptare akuzon Sali Berishën dhe Lulzim Bashën si përgjegjës të drejtpërdrejtë për përdorimin e pushkëve ndaj popullit, me pasojë vrasjen e katër njerëzve të pafajshëm dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve. Ata duhet të hetohen deri në fund, ata duhet të merren në procedim menjëherë edhe Sali Berisha edhe Lulzim Basha, përndryshe kërkesa për imunitetin e tre deputetëve opozitarë nuk mund të mos na duket si manovër për të krijuar një ekuilibër të papranueshëm në hetime. Nëse Berisha e Basha nuk hetohen, , opozita do ta konsiderojë si një kalkulim të prokurorisë për të dalë mbi palët, por që në fakt e bën palë. Prokuroria ka detyrim të cojë vrasësit dhe urdhëruesit para gjyqit. Nga ana tjetër, gjykata tregoi që është kthyer në një vegël të pushtetit, me masat me arrest shtëpie. Arrest shtëpie në regjimin e Berishës do të thotë liridalje e plotë, për të komunikuar dhe mundësinë për të dëmtuar procesin hetimor të 21 janarit”, deklaroi Tahiri. 

/ Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.