Udhëtim në Durrës
22/11/2010 18:55
Udhëtim në Durrës
Jemi 30 kilometra në perëndim të Tiranës, buzë Adriatikut ku prej shumë dekadash, toka dhe nëntoka ofron vlera të rralla duke e bërë këtë qendër urbane me emrin Durrës nga më të veçantët në Mesdhe.

“Durrësi ka kontribuar për krijimin e një fizionomie të kultures qytetare që në kohët e vjetra”, shprehet Afrim Hoti.

Zbulimet në këtë qytet janë të shumta. Ne kemi “fatin” ta nisim nga më të fundit. Një strukturë e vjetër ndërtesash që i përmbahet tri periudhave mbi të cilën, dikur ngrihej “Lulishtja 1 Maji”. Kamera e Pasdites në Top Channel, ekskluzivisht filmon detajet e këtij zbulimi, i pari i karakterit të shpëtimit arkeologjik, i kryer sipas standarteve europiane, me një sipërfaqe 4200 metra katrorë, me një infrastrukturë të rregullt urbane.

Një vend pjellor arkeologjik, me rrugë në kënd të drejtë, kanale shkarkuese dhe banesa, çdonjëra prej të cilave, me kontribut në prodhimet e tekstilit, qeramikës dhe qelqit.

Në vitin 1966 në Durrës u zbulua Amfiteatri, nga më të mëdhenjtë në Ballkan. Ndodhet në këmbë të qytetit, në formë elipsi, i ndërtuar në Shekullin e dytë pas Krishtit, gjatë mbretërimit të Trajanit. Sot ai vazhdon t`i nënshtrohet rivilitalizimit, për t`u shndërruar në skenë teatri, ku restaurimi i pjesës veriore kërkon prishjen e këtyre banesave që shohim në ekran:

“Amfitetari është në formë elipsi, shërbente për 20 mijë spektatorë për shfaqje të ndryshme dhe për luftën e gladiatorëve”, tregon Ermion Arapi drejtori i Drejtorisë Rajonale të Mbrojtjes së Monumenteve të Kulturës në Durrës.

Në kushtet e një klime mesdhetare, zona më e përshtatshme për banim u konsiderua ajo e lumit Erzen dhe Ultësira Perëndimore. Në këto rrethana në bregdetin e Durrësit u vendos ”limani” me emrin Dyrrah.

Qyteti me intesitetin më të madh të pasurive arkeologjike mban brenda tij “Termat e Durrësit” që u zbuluan gjatë hapjes së themeleve të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Mosiu”. Shumë pak metra gjendet Rotonda, një shesh-treg i periudhës bizantine. Por të gjithë historinë e Durrësit e gjejmë në Muzeun Arkeologjik, përballë shëtitores kryesore. Rreth 2.000 objekte të ekspozuara dhe të klasifikuara sipas kronologjisë së zhvillimit të kesaj qendre urbane, datojnë nga periudha arkaike deri në Mesjetën e hershme.

Qyteti jeton mes  turizmit dhe peshkimit, me një përvoje të fituar në disa dekada, peshkatarët mundin që në vit, në rrjetat e tyre, të kapin 2 mijë kuintalë peshk, duke u kujdesur për tregun qytetar dhe restorantet buze detit.  

Edhe pse jemi në “vjeshtën e vonë”, qyteti lundron në perëndimin e kuq, i shtrirë në dy kohë, në të sotmen dhe të shkuaren e tij, një jetë e dyfishtë që ka nisur e tillë, mijëra shekuj më parë e që vazhdon paqësisht edhe sot. / Top Channel


LAJME TE NGJASHME

MË TË LEXUARAT




Top Channel 2001 - 2016
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.