Universitetet nisin mësimin. Në auditorë 22.200 studentë të rinj

16/10/2017 09:15

Rreth 150 mijë studentë do të nisin vitin e ri akademik në 3 ciklet e studimit, nga të cilët mbi 22 mijë ulen në auditore për herë të parë, në nivelin bachelor.

Por ky vit i ri i gjen ndryshe universitetet publike dhe private, disa të akredituar e disa jo. Një rezultat që ndau institucionet e mira nga ato të dobëta, por përcaktoi edhe vendet nga ku kryeministri Edi Rama dhe ministrja Nikolla do të uronin ditën e parë të këtij fillimviti akademik.

“Uroj mbi 22 mijë e 200 studentëve që ulen për herë të parë në bankat e universiteteteve. Deri dje ishte e pamundur të imagjinohej që çdo i ri të gjente vendin që i takonte bazuar te ajo që dite. Keni investuar në shkollën e mesme dhe tani vazhdoni të investoni për të marrë më tutje atë që meritoni”, tha Rama nga Universiteti Bujqësor.

Këtë urim ministrja e Arsimit e bëri nga Universiteti i Mjekësisë, jo pa arsye. “Kam zgjedhur të jem këtu pasi është viti i parë që të gjitha institucionet e arsimit të lartë përmbyllën me sukses akreditimin institucional. Universiteti i Mjekësisë doli si një nga institucionet që përmbush plotësisht standardet, duke u akredituar me 5 vjet”, tha Nikolla.

Ministrja Nikolla premtoi se do të përdorë çdo instrument që suksesi i universiteteve të përkthehet në benefit për shoqërinë. Ministrja garantoi mbështetje për kërkimin shkencor në universitete.

“Në 3 vitet e ardhshme ky projekt, me një financim prej 1 mln euro do të jetë një forcë shtytëse në rritjen e cilësisë në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit”, premtoi Nikolla.

Për disa ky është një vit i ri në kalendar, por për anëtarët e Lëvizjes për Universitetin mbetet i vjetër në probleme.

“Këtë vit qeveria i ka futur universitetet publike në një test të padrejtë akreditimi, që nxit gënjeshtrën e jo të vërtetën. Synimi i saj është diskretitimi i universiteteve publike për t’u shtruar rrugën financimeve të universiteteve private me paratë e popullit”, deklaroi përfaqësuesja e kësaj lëvizjeje.

Top Channel