Përplasje për krimin, Rama: Ju s’mbani përgjegjësi. Basha: PS e sundon krimi

13/10/2017 00:00

Parlamenti po debaton në një seancë maratonë për ngritjen e Komisionit të Reformës zgjedhore, por palët po përplasen për situatën e krimit dhe po shkëmbejnë akuza të ashpra.

Kryeministri Rama replikoi me kryetarin e demokratëve, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së  Monika Kryemadhi, partia e së cilës kërkoi që të mos votohet edhe projektligji për minoritetet.

Kryeministri Edi Rama: Ju nuk mbani dot përgjegjësi, jo se nuk doni por se jeni të paaftë. Këtu dallojmë ne me ju. Përgjegjësia, këtë fjalë ju nuk e njihni. Na morët në qafë edhe ata shokët tanë (LSI). Futët edhe ata në këtë valle. Ata kanë hall tjetër, nuk kanë hallin tuaj. Ata numërojnë përditë trigonat që ikin nga tepsia. Na prishët edhe shokët.

Kryetari i PD Lulzim Basha: Qazim Sejdini me kriminelët e tjerë në Elbasan, mbi të gjithash  dhe para se të jetë trafikant heroine, kriminel të kërkuar nga Interpol dhe Europol janë makineria që manipulon dhe vjedh votat për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Të dhëna tronditëse do të publikohen në ditët dhe javët e ardhshme nga faktorët dhe partnerët ndërkombëtarë. Sektori bankar po depërtohet nga krimi, në kuptimin e financimit me fajde të parave të drogës dhe në kuptimin e angazhimit të bankave të caktuara në sektorin bankar në industrinë e pastrimit të parave të drogës.

Edi Rama: Më e bukura kush është? Ambasadori amerikan takon kryetarin e opozitës, i kërkon mbështetje për këtë operacion, kryetari i opozitës vjen këtu dhe siç e ka zakon që me fjalët e të huajve bën atë që e ka mësuar të bëjë lideri legjendar (Sali Berisha), që i përdor takimet me të huajt siç i do qejfi dhe bën atë paralajmërimin e famshëm, prit prit se javën tjetër do ta dëgjoni. Çfarë do të dëgjonim javën tjetër ne? Do të dëgjonim saktësisht atë që kemi tre muaj që bashkëpunojmë. Brenda muajit nëntor do të vijnë këtu agjentë të specializuar që do të punojnë ngushtësisht me Policinë e Shtetit, me Ministrinë e Brendshme, me Shërbimin Informativ dhe me të gjitha agjencitë e tjera për këtë punë. Për këtë i ka kërkuar bashkëpunim atij (Lulzim Bashës).

Lulzim Basha: 20 familje kriminale, katër klane kriminale! E thotë Departamenti i Shtetit. Ta ka thënë përpara dhe nëse kam një vërejtje për Ambasadorin Lu është se e hapi gojën pas zgjedhjeve, por më mirë vonë se kurrë. Qani hallin e Partisë Demokratike! A e dini se në degë të tëra të Shqipërisë, partinë tuaj e sundon krimi dhe kriminelët?! (tregon një fotografi).

Edi Rama: Personi që keni nxjerrë në fotografi, për turpin tuaj me Blendi Klosin, po në çadrën e lirisë, për Republikën e Re kishte ardhur ai?!

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së: Thotë pse paskemi ne hallin e krimit dhe flasim vetëm për krimin. Ta fillojmë me shëndetësinë? Të flasim për koncesionet? Do të flasim për ekonominë?! Të flasim për TVSH?! Të flasim për taksat, për rritjet e çmimeve, për arsimin?! Ku ta kapim, e ku ta marrim! Të flasim për policinë?! Për çfarë të flasim! Qetësohu se ti kur humb qetësinë, Frojdi brenda vetes tënde thotë gjëra të tmerrshme.

Top Channel