Dezinfektimi i shkollës, nxënësit e Gjegjanit sërish probleme shëndetësore

11/10/2017 00:00

Pas denoncimit të Fiks Fare, më në fund reagon Bashkia Pukë e cila ka marrë masa për pastrimin dhe normalizimin e gjendjes në shkollën “Nikoll Lleshi” të fshatit Gjegjan.

Në këtë shkollë një javë më parë si pasojë e dezinfektimit të ambienteve nga DSHP, më shumë se 30 nxënës patën probleme shëndetësore.

Pas rihapjes së shkollës ditën e hënë në datën 9 tetor me urdhër të Ispektoriatit Shtetëror Rajonal dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik, sërish përsëritet e njëjta situatë. 6 fëmijë kanë marrë ndihmë mjekësore, pasi janë ndjerë keq gjatë orës së parë të mësimit. Shqetësimet e nxënësve kanë sjellë edhe ndërprerjen e menjëherëshme të procesit mësimor, vetëm 20 minuta pasi kishte filluar.

Në këto rrethana mësimi është ndërprerë prapë dhe Bashkia Pukë ka nisur një aksion për pastrimin e mjediseve të shkollës. Veç stafit të shkollës janë angazhuar edhe punonjësit e shërbimeve dhe ata të shërbimit zjarrfikës, të cilët po pastrojnë ambientet dhe orenditë, pasi është gëlqerizuar ditën e djeshme e gjithë godina.

I kontaktuar nga gazetarët e Fiks Fare, Drejtori i Zyrës Arsimore Pukë, z.Nikolin Prenga, në një bisedë telefonike thekson se po punohet për kthimin në normalitet të shkollës.

Ndërkohë, nga analizat që po kryen ISHP pritet të zbardhet shkaku i helmimit të nxënësve në Gjegjan të Pukës. I kontaktuar me tel. z.Arjan Bregu Drejtor i këtij institucioni theksoi se ende nuk ka një rezultat zyrtar përfundimtar.

Top Channel