Opozitari i parë, kush ishte Sheh Ibrahim Karbunara?

10/10/2017 00:00

Ibrahim Shehu ishte një prej 16 deputetëve të opozitës së parë shqiptare që provoi fundin e hidhur të regjimit komunist.

I arsimuar jashtë vendit, në Stamboll dhe Teheran, Sheh Ibrahim Karbunara u rikthye në atdhe për të bërë çdo gjë ndryshe.

Të njëjtin pasion për të bërë shumë gjëra ndryshe për Shqipërinë e ka sot edhe Olindo Shehu, stërnipi I tij, edhe pse ndryshe nga paraardhësi i tij, politikën nuk e sheh si mënyrën e duhur për ta bërë këtë. Ai na shoqëron në një rrugëtim të shkurtër në muzeun e Kongresit të Lushnjes, atje ku Sheh Ibrahim Karbunara përjetoi edhe kulmin e karrierës së tij politike.

“Mbase për nga mosha, jo detyrimisht më i denji për ta përfaqësuar denjësisht këtë familje, por patjetër i privilegjuar dhe krenar i gjithë kontributit që  Sheh Ibrahim Karbunara ka dhënë për Shqipërinë”, shprehet Olindo Shehu, stërnipi i Sheh Ibrahim Karbunara.

Olindo ka mësuar gjithçka rreth të shkuarës dhe mënyrës sesi pas torturave që zgjatën për më shumë se një vit dhe me një proces gjyqësor që zgjati vetëm pak minuta, stërgjyshi I tij u dënua me vdekje.

Por duke u kthyer pas në histori, a ja ka vlejtur sipas familjes e gjithë sakrifica e idealistit dhe klerikut nga Lushnja?

“Shpresoj që ja ka vlejtur sakrifica që stërgjyshi im ka bërë. Ne sot, 70 vjet më vonë, flasim për vlera, integritet, por mjafton që të marrim shembullin e tyre në një Parlament ku faktikisht çdo javë dëgjojmë të gjitha llojet e debateve, por shumë rrallë debate për të mirë të Shqipërisë. Familja patjetër që është persekutuar dhe rimëkëmbja ka qenë goxha e vështirë, por me optimizëm dhe me shpresë që atë frymë që stërgjyshi im solli në atë kohë, ne ta pranojmë dhe ta çojmë përpara dhe për brezat që vijnë, unë mendoj se Shqipëria mund të bëhet më mirë”, thotë Orlindo Shehu.

Bashkë me Sheh Ibrahim Karbunarën, vetëm pak çaste përpara tij, ekzekutohet edhe I biri I tij.  Historia nuk përfundoi me kaq. Familja e tij u përndoq për dekada me radhë dhe u detyrua të lëvize nga një qytet në tjetrën.

Top Channel