Rama takim me zv/ministrat: Sinjal pozitiv për negociatat, brenda 100 ditëve

08/10/2017 00:00

Edi Rama thotë ekipi i ri qeverisës, i plotësuar tashmë edhe me 33 zv/ministra, i ka të qarta prioritetet, që nisin me çeljen e negociatave për anëtarësim vitin e ardhshëm, ndonëse sinjalin pozitiv qeveria e re e prêt Brenda 100 ditëve të para.

“Duhet të punojmë të gjithë që jo vetëm të çelim negociatat për anëtarësim vitin e ardhshëm duke marrë një sinjal të qartë pozitiv nga Këshilli Europian në këto 100 ditë të para por dhe që të jemi gati për negociatat, që janë një proces tejet i ndërlikuar, me rrjetin e njerëzve në çdo ministri dhe me një sistem pune të mirë-organizuar dhe gjithëpërfshirës nga niveli I ministrave. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do ta udhëheqë këtë proces por duhet të mbështetet nga të gjitha ministritë dhe çdonjëra prej skuadrave tuaja drejtuese”, u shpreh Rama.

Tashmë qeveria do të nisë fazën e dytë, që Edi Rama e quan më sfiduesen, luftën ndaj krimit dhe rindërtimin e policisë së shtetit.

“Pas rilindjes së policisë së shtetit dhe shfarosjes së kanabisit si një fenomen epidemik, duhet të zhvillojmë me të njëjtin sukses operacionin kombëtar kundër rrjeteve kriminale dhe pastrimin e plotë të radhëve të policisë nga elementët e inkriminuar, të korruptuar apo të paaftë përmes vettingut në policinë e shtetit. Do fitojmë betejën kundër informalitetit, të çlirojmë biznesin nga çdo zinxhir pengues burokratik, të rrisim punësimin, të fuziqojmë më tutje arsimin profesional si dhe të krijojmë kapacitetin e munguar auditues Brenda piramidës së pushtetit”, shtoi kryeministri.

Rama flet edhe për kundërshtarët e qeverisë së tij.

“Nuk janë aspak të dobët, përkundrazi, janë të egër dhe të rrezikshëm. Papunësia, korrupsioni dhe cinizmi. Kemi edhe një opozitë të dobët që bërtet dhe shan si ai frikacaku që bërtet për të kaluar pyllin natën por ky është një rrezik më vehte, për skuadrën tonë dhe jo një lehtësi”, tha Rama.

Top Channel