Nisin leksionet e para për gratë në timon

08/10/2017 00:00

Tre ditë pas dekretit të Mbretit Salman, që iu mundëson prej qershorit të ardhshëm grave pajisjen me patenta, Faisal BaGugaish nuk mendoi dy herë dhe dërgoi bashkëshorten e tij në një parkim të një qendre tregtare për t’i dhënë mësimet e para në drejtimin e automjetit.

Kjo për shkak se një gjë e tillë vijon të jetë e ndaluar në rrugët kryesore të vendit.

Pas këtij veprimi, dyshja e bashkëshortëve, duke buzëqeshur, publikoi një foto “selfie” në rrjetin social “Twitter”. Një gjest që shkaktoi polemika mes sauditëve konservatorë. “Turp të kini”, ishte sulmi më i rëndë që morën mes reagimeve të shumta.

“Cicërima” e këtij skandali kishte këtë përmbajtje: Sapo nisa t’i mësoj gruas sime të drejtojë makinën në një parkim, në mënyrë të sigurtë dhe ligjore, në pritje që ligji të hyjë në fuqi”, shkroi në llogarinë e tij analisti i një shoqërie nafte dhe gazi në Dhahran, në lindje të Arabisë Saudite.

Ky postim u ripublikua mijëra herë, por reagimi ishte i imagjinueshëm. Madje edhe i dhimbshëm, pasi demonstroi edhe njëherë sesa kontroverse është çështja në fjalë, për të cilën sovrani vijon të këmbëngulë se është e ndaluar për femrat të marrin timonin nën kontroll, një rast unik në të gjithë botën dhe që i ka rrënjët dekada më parë.

Dikush ka provuar edhe ta miratojë këtë veprim të “përjetësuar” në një foto “Twitter”-i, por shumica e atyre që reaguan vërshuan me një “lumë” kritikash: Turp të kini!

Top Channel