Divjakë, protestë për shkollën. Prindërit kundër klasave kolektive

07/10/2017 00:00

Ulja e numrit të nxënësve në shkollën 9-vjeçare në fshatin Çermë Proshkë të bashkisë Divjakë ka bërë që drejtuesit e institucionit t’i bashkojnë nxënësit në klasa kolektive.

Por kjo nuk është pritur mirë nga prindërit, të cilët kanë disa ditë që protestojnë për këtë gjë. Drejtori i shkollës, Xhevair Sufja shprehet se çdo gjë është bërë konform ligjit.

“Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit thotë që klasat që kanë pak nxënës të bashkohen. Cikli i ulët shkon në 65 nga 80 që duhet të ketë. Duhen mbi 80 fëmijë që të funksionojnë 5 klasa tek e tek. Prindërit kanë të drejtë, por nuk dalin numrat dhe ligji nuk ka dalë sot”, thotë Sufja.

Disa nga prindërit nuk kanë pranuar t’i sjellin fëmijët farë në shkollë nëse situata nuk ndryshon. “Dua që fëmijët e mi t’i kenë klasat e ndara e jo të bashkohen, pasi një fëmijë i klasës së dytë nuk mund të mësojë njësoj me atë të klasës së pestë”, thotë një prind.

“Ne si prind do të bëjmë grevë, ose do t’i vëmë kyçin përgjithmonë. Të gjendet zgjidhja”, thotë një nënë.

Shkolla në Çermë Proshkë është një nga shkollat që iu nënshtrua restaurimit 3 vite më parë, pasi ishte dhe një nga shkollat me numrin më të lartë të nxënësve në këto fshatra.

Top Channel