Kosovë, ratifikohet marrëveshja IPA

04/10/2017 00:00

Parlamenti i Kosovës ratifikoi të mërkurën marrëveshjen financiare me Bashkimin Europian, të njohur si IPA (Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësim) 2016, në një vlerë prej rreth 70 milionë eurosh.

Këto fonde pritet të përdoren në përafrimin e legjislacionit së Kosovës me Bashkimin Europian në të drejtat e komuniteteve, rritjen e konkurrencës për ndërmarrjet dhe përkrahjen për lidhjen më të mirë të arsimit me tregun e punës dhe politikat sociale.

Marrëveshja u votua nga të gjitha partitë politike në Parlamentin e Kosovës. Çështja e votimit ishte bërë temë debati në Parlament, pas paralajmërimeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës se nuk do ta votonte atë, nëse kryeministri Ramush Haradinaj nuk merrte pjesë në debat parlamentar për programin qeverisës.

Miratimi i marrëveshjes kërkoi dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

Marrëveshja financiare ka për qëllim reformimin e disa sektorëve të rëndësishëm në Kosovë, që janë edhe kusht për integrimin europian. Kosova vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon në proceset integruese.

Top Channel