Është koha e vlerësimit të zbulimeve të rëndësishme edhe në fushën e kimisë. E tillë konsiderohet mikroskopia krioelektronike, që përvijon me saktësi të madhe strukturën biomolekulare.

Bëhet fjalë për një teknikë të vëzhgimit në mikroskop, e cila mundëson pamjen e biomolekulave, si proteinat, por edhe ADN-në apo ARN-në, pasi i ngrin me shpejtësi të madhe falë metodës së vitrifikimit.

Në këtë mënyrë ruhet forma e tyre e natyrshme dhe mund të vëzhgohen detajet e lidhjes mes molekulave të ndryshme. Merita për këtë u njihet Jacques Dubochet, Joachim Frank dhe Richard Henderson. Komiteti i Nobelit vendosi t’i nderonte me çmimin e sivjetshëm për kiminë.

“Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave e jep këtë çmim për zhvillimin e mikroskopisë krioelektronike, e cila sjell imazhe të një rezolucioni të lartë të biomolekulave. Kjo metodë e çon biokiminë në një epokë të re”, thuhet në argumentin e Akademisë së Nobelit.

Përdorimi praktik i një teknike të tillë është i pafund, sipas Frank, profesori gjerman i Iniversitetit të Kolumbias në Nju Jork. Ishte pikërisht ai, që e bëri teknologjinë e re më të aplikueshme. Zvicerani Dubochet perfeksionoi ngrirjen e grimcave, pa iu humbur formën natyrale, ndërsa shkencëtari skocez Henderson ia doli të përdorte një mikroskop të tillë, për të gjeneruar pamjet e para tripërmasore.

Shkencëtarët do të ndajnë mes tyre çmimin që mbërrin vlerën e 1.1 milionë dollarëve.

Top Channel