Akrobacitë në ajër të ekipit “bletët balltike” ishin pika kulmore e shfaqjes ndërkombëtare të aviacionit dhe aerohapësirës, të mbajtur në provincën kineze të Sichuanit.

Mbi 200 kompani vendase e të huaja morën pjesë në këtë kompeticion, me një total prej 130 avionësh, të cilët u përfshinë pas ekspozimit edhe në një performancë të hapur për publikun.

Mbi 10 mijë spektakorë ishin mbledhur për të ndjekur spektaklin ajror, ku grupi i pilotëve balltikë shkëlqeu.

“Ky avion është shumë i mirë, ka një formë të këndshme, është i rehatshëm në fluturim. Është një zonjë e vërtetë për ne dhe të ndihmon shumë me akrobacitë. Sfida më e madhe ishte të vije nga Europa deri në Kinë me këtë avion, sepse ai nuk është bërë për fluturime kaq të gjata. Një mjet i tillë, praktikisht është konceptuar të ngrihet në ajër e të ulet në të njëjtin aeroport, por ne përshkuam 8.000 kilometra për të mbërritur deri këtu”, tha një pjesëtar i ekipit “Baltic Bees Jet Team”.

Sichuani është i famshëm për aviacionin dhe industrinë e tij të zhvilluar të aeronautikës, ndërsa Dejangu, ku u organizua shfaqja, etiketohet si “qyteti i pajisjeve të rënda”. Shfaqja konsiderohet një mundësi mjaft e mirë për ekspozimin e arritjeve më të fundit të kësaj industrie në Kinë.

Top Channel