Shumë mund për një sfilatë të “Victoria’s Secret”

04/10/2017 00:00

Nuk është e lehtë të jesh një engjëll i “Victoria’s Secret” dhe modelja veterane e saj, Adriana Lima iu drejtua palestrës në Nju Jork përpara shfaqjes së re të firmës së famshme të të brendshmeve.

36-vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, ka punuar për “Victoria’s Secret” që prej vitit 1999, gjë që e bën atë më jetëgjatën në këto pasarela. Përpos kujdesit në ushqim, sekreti i formës perfekte të bukuroshes braziliane është boksi, edhe pse ka provuar çdo sport tjetër të mundshëm.

“Si femër, ti nuk arrin ta kuptosh sesa e fortë mund të jesh, e kjo më jep edhe më shumë fuqi. Fakti që arrij të shikoj sesi shtohet forca ime. Kur merresh me boks për vite të tëra, të bëhet pjesë e pandashme e të përditshmes tënde”, tha Adriana Lima, supermodele.

Spektakli i këtij viti do të mbahet për të parën herë në Shanghai të Kinës. Ai i mëparshmi zbukuroi kryeqytetin e Francës, Paris. Limën e gëzon ideja që shfaqja zhvillohet çdo vit në shtete të ndryshme dhe preferenca për pasarelën e ardhshme do të ishte padyshim vendi i saj i lindjes.

“Është gjithmonë entuziazmuese, sepse shikon gjëra të reja. Megjithatë, nëse përzgjedhja e një vendi do të ishte në dorën time, unë do të doja që vitin e ardhshëm të shkonim në Brazil”, tha Lima.

Shfaqja e shumëpritur e “Victoria’s Secret” do të transmetohet në televizion në datën 29 nëntor.

Top Channel