Fiks Fare/ Nxënësit pa mësim në fshati Kullë. Mësuesit në ekskursion

03/10/2017 00:00

Viti akademik 2017-2018 ka nisur në 11 shtator, por  fëmijët e ciklit 9-vjeçar si dhe ata të gjimnazit  në fshatin Kullë të Sukthit ende nuk e kanë nisur shkollën.

Godina e shkollës, e cila ka nisur të rikonstruktohet tre muaj më parë, ende nuk ka përfunduar. Por edhe cikli fillor, i cili ndjek procesin mësimor në godinën e vjetër, ditën e premte në datën 29 shtator nuk ka zhvilluar mësim.

Mësuesit e shkollës pa marrë leje në Drejtorinë Arsimore Rajonale, Durrës kanë pezulluar mësimin dhe kanë ikur për ekskursion në Maqedoni.

Fiks Fare ka pasqyruar këtë situatë e cila sipas nxënësve është e paqartë se kur do të marrë zgjidhje.

“Ende nuk e kemi filluar shkollën. Godina nuk ka mbaruar , na kanë thënë do e nisim nga tetori. Librat i kemi blerë po presim. Na mungon shkolla”, shprehen disa prej tyre.

Të vetmit që duhet të zhvillojnë mësim normalisht janë fëmijët që ndjekin ciklin e ulët, pasi për ata është vënë në dispozicion godina e vjetër e shkollës. Por edhe këta të fundit ditën e premte në datën 29 shtator 2017 janë lënë pushim, pasi mësuesit kanë ikur në Maqedoni për ekskursion. Godina ishte mbyllur dhe brenda nuk kishte as mësues as fëmijë dhe as drejtues institucioni.

“Unë jam në klasën e pestë, bëjmë mësim këtu, por sot e kam pushim. Mësuesit kanë ikur në Maqedoni për ekskursion”, shprehet një nga fëmijët. Fiks Fare lidhur me këtë problematikë  i është drejtuar Drejtorisë Arsimore Rajonale Durrës . Drejtoresha  lidhur me restaurimin e godinës tha se nuk ishte njoftuar zyrtarisht nga Bashkia e Durrësit për shtyrjen e afateve të punimeve . Ajo deklaroi se ka qenë insistimi i saj tek kompania e ndërtimit që të njihej nga afër me situatën.

“Bashkia nuk më ka lajmëruar që godina nuk do ishte gati në shtator. Unë vetë kam insistuar dhe kam marrë një shkresë zyrtare nga firma e ndërtimit që po merret me punimet. Në shkresë thuhet se shkolla nuk do ishte gati në shtator por në 15 tetor. Gjendur në këtë situatë lajmërova Ministrinë e Arsimit , fillimisht menduam t’i çonim këta nxënës në shkollën e një fshati afër, por edhe aty ishte e pamundur pasi edhe aty bëhej mësim me dy turne . Ndaj menduam që fëmijët t’i linim pushim dhe kur të përfundonte godina të zhvillohej mësim edhe të shtunave për të zëvendësuar orët e humbura” tha Lindita Mukaj. Ndërkohë pyetur për mësimin që duhet të zhvillonte cikli i ulët  drejtoresha tha se nuk ishte në dijeni  të situatës. “Jo nuk jam në dijeni , se di çfarë ka ndodhur, normalisht sot është ditë mësimi. Nuk ka asnjë lajmërim zyrtar nga drejtori i shkollës. Nëse kjo situatë ka ndodhur do merren masa , do pezullohet nga puna është e patolerueshme”, përfundoi ajo.

Dy ditë më vonë vetë drejtori i Shkollës së Bashkuar Kullë, ka pranuar jashtë kamerës, se kjo situatë ka ndodhur pa leje, por ai ka kërkuar të mos penalizohet me pushim nga puna si dhe ka premtuar se dita e premte do të zëvendësohet ditën e shtunë.

“Po është e vërtet atë ditë paradite nuk është bërë mësim. Nuk e kam bërë ndonjëherë këtë gjë po ja që ndodhi . Ç’të them më! Nuk duhet të ndodhte po është e vërtet. Më kanë pezulluar dhe nuk e di tani si të veproj, unë jam njeri i rregullt dhe s’duhet të ndodhte po ç’të them tani! Do ta zëvendësojmë të shtunën mësimin patjetër”, tha Munir Kaca.

Fiks Fare iu drejtua edhe  Bashkisë Durrës e cila nëpërmjet një shkrese zyrtare tha se rikonstruksioni ka nisur në Korrik, pasi për zgjedhjet në shkollë kanë qenë katër qendra votimi. Sipas Bashkisë së Durrësit shkolla duhet të jetë gati  në datën 1 tetor, ndërkohë shkresa e marrë nga DAR  thotë se punimet janë shtyrë.

Firmës ndërtuese i kanë dalë punime  të paparashikuara në preventiv dhe se afati i përfundimit  do të jetë data 15 tetor. Bashkia në përgjigjen zyrtare thotë se ka komunikuar me DAR-in  edhe pse kjo e fundit deklaroi të kundërtën.

Megjithatë, në 2 tetor Fiks Fare ka shkuar sërish në shkollën e fshatit Kullë, ku vërejti se shkolla ende nuk kishte përfunduar.

Një pjesë e nxënësve ishin jashtë në oborr ndërsa një pjesë e tyre pastronin mjedisin e shkollës brenda.  “Firma ka punuar ditë natë edhe pse shkolla nuk është gati, por ne themi në 4 tetor do të nisë patjetër. Meritë e përfundimit të saj të shpejtë është interesimi  i emisionit Fiks Fare”, u shpreh drejtori Munir Kaca. 

Top Channel