Sfilata e shumëpritur e javës së modës në Paris është gjithmonë ajo e “Chanel”-it, e jo aq shumë për veshjet e dizenjuara nga Karl Lagerfeld, por për skenografitë madhështore që stilisti ndërton çdo herë rreth idesë qendore të koleksionit të tij.

Për krijimet e reja, “pranverë-verë 2018”, Lagerfeld mbushi të famshmin “Grand Palais” me shkëmbinj, bimë e ujëvara të rreme, për të prezantuar kapele dhe çizme plastike për shi, çadra dhe çanta transparente të papërshkueshme nga uji.

Shfaqja ishte spektakolare, si zakonisht, me ujëvara 10 metra të larta dhe shpella nga ku dilnin modelet, duke filluar me të parën Kaia Gerber, vajza 16-vjeçare e Cindy Crowford, e cila çeli edhe sfilatën e “Moschino”-s në Milano.

Nëna e saj e ndoqi me krenari nga rreshti i pari i spektatorëve. Koleksioni dominohej nga xhaketat e ngushta me vata të theksuara e prerje me bel, pantallonat e gjera e veshje me ngjyra të hapura, që reflektonin dritën e ujit të ujëvarës.

FOTO GALERI
1/22

Top Channel