Nobeli shkon për “valët gravitacionale”

03/10/2017 00:00

Nobeli i sivjetshëm i Fizikës i shkoi 3 shkencëtarëve amerikanë, që zbuluan valët gravitacionale të Universit, të parashikuara nga Albert Einstein përpara 100 vitesh, por të diktuara për herë të parë vetëm 14 shtatorin e vitit 2015.

Pritshmëritë për njohjen e punës së Rainer Weiss, Kip Thorne dhe Barry Baris ishin të mëdha, e në fund Komiteti i Nobelit nuk zhgënjeu.

“Akademia Mbretërore suedeze e Shkencave vendosi që çmimin e Fizikës për këtë vit t’ia japë gjysmën Rainer Weiss, e gjysmën tjetër ta ndajnë mes tyre Barry Barish dhe Kip Thorne, që të gjithë pjesëtarë të bashkëpunimit LIGO-Virgo. Akademia citon për këtë vendim kontributet thelbësore të detektorëve të Ligos në vëzhgimin e valëve gravitacionale”, tha Goran K. Hansson, sekretar i Akademisë Mbretërore të Shkencave, Suedi.

Valët gravitacionale përshkruhen si tërheqje dhe shtrëngime që ndodhin në materialin hapësirë-kohë, kur objekte të mëdha marrin shpejtësi. Deformimi i hapësirës, që rezulton nga shkrirja e dy vrimave të zeza, u diktua fillimisht nga laboratori amerikan “Ligo” dy vite më parë, gjë që shënoi edhe pikën kulmore të një kërkimi shumëdekadësh.

Tri raste të tjera janë zbuluar që prej atëherë. Me atë që fitoi përcaktimin “zbulimi i shekullit”, “Ligo”, pranë të cilit punonin edhe laureatët e këtij viti, e ka justifikuar plotësisht ekzistencën e tij.

Laboratori ka dy instrumente gjigante, njërin në Washington dhe tjetrin në Louisiana. Përveç vlerësimit moral, për shkencëtarët ka si përherë edhe një shpërblim financiar. Weiss do të marrë gjysmën e 831 mijë paundëve që vijnë me çmimin prestigjioz, ndërsa dy shkencëtarët e tjerë do të ndajnë mes tyre gjysmën tjetër.

Top Channel