Konispol, shkolla e fshatit Mursi drejt mbylljes

02/10/2017 00:00

Në Mursi, një fshat buzë kufirit në Bashkinë e Konispolit, shkolla shqipe është ndër të parat të çelura në jug të vendit.

Këtë vit shkolla “Sotir Deli” festoi 100-vjetorin e themelimit, por banorët janë të shqetësuar se ky mund të jetë përvjetori i fundit.

Pak ditë më parë mësuesit njoftuan prindërit të përgatisin fëmijët për një zhvendosje të mundshme të shkollës vitin e ardhshëm.

“Drejtori i arsimit erdhi dhe u tha mësuesit që të përgatiten prindërit se një ditë shkolla do të mbyllet. Ne s’jemi dakord”, thotë Aleksandër Rubi, prind.

“Neve nuk na intereson kush parti është në pushtet, si bëhet reforma territoriale, apo të tjera. Shkolla është këtu dhe kaq”, shprehet Festim Bardhi.

Kati i dytë i godinës, tregon 77-vjeçarja Evanthia Koçi, u ndërtua nga banorët me kontribut vullnetar.

“Duhet të ishin gjithë prindërit e fshatit që kanë ngritur këtë shkollë këtu. Tani vjen puna që shkolla të mbyllet. Nuk jemi dakord të mbyllet shkolla e fshatit tonë”, thotë Koçi.

Drejtori i shkollës thotë se shkolla e Mursisë ka vetëm 48 nxënës dhe se nuk është i sigurtë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

“Kishim dëgjuar disa fjalë nga prindërit që qarkullonin në fshat, se do të bëhej përqëndrimi i shkollave në Xarrë, por nuk ka pasur një njoftim. Ne do të vazhdojmë mësimin normalisht”, thotë Arbër Xhaferri.

Një shkollë disa kilometra më larg në fshatin Xarrë u rikonstruktua një vit më parë. Por në zyrën rajonale arsimore në Sarandë thonë se nuk është miratuar ende nga ministria plani për mbledhjen e mundshme të disa shkollave në këtë godinë.

Top Channel