Spektakël në kullën “Eiffel”

29/09/2017 00:00

Ikona e Parisit, kulla “Eiffel” kremtoi të enjten faktin që është vizituar nga plot 300 milionë vetë, që prej hapjes për publikun në vitin 1889.

Fatlumët që ishin aty më 28 shtator panë sesi në çdo kat të strukturës më të vizituar të botës ishin organizuar koncerte, e në fund një spektakël dritash shumëngjyrëshe bëri që mrekullia 128-vjeçare e inxhinjerisë të shkëlqente e tëra.

“Është një vend magjepsës, ndaj duhet të përfitonim patjetër. Një herë në jetë të vjen mundësia që të festosh në katin e parë”, tha Julie, vizitore.

“Është e jashtëzakonshme, është një vend fantastik. Erdha edhe për muzikën të them të drejtën, por ky vend është më i miri i mundshëm”, tha Pierre.

“Kjo është padyshim eksperienca perfekte. Është hera e parë për mua që vizitoj kullën ‘Eiffel’, por gjithçka ishte e shkëlqyer”, tha Kathleen.

E njohur ndryshe edhe si “dama e hekurt”, kulla 324 metra e lartë është ngritur e fortë dhe kryelartë, duke i rezistuar luftrave e katastrofave të shekullit të XX. Atë e vizitojnë çdo vit rreth 7 milionë vetë nga e gjithë bota, e çdo mbrëmje ndizet e gjitha nga 20 mijë drita.

Top Channel