Nis rikonstruksioni i plotë i shkollës “Dhora Leka”

29/09/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Dhora Leka” në zonën pranë Fushës së Aviacionit.

Kryetari i Bashkisë, i shoqëruar nga deputetja e PS, Vasilika Hysi, inspektuan nisjen e punimeve duke vlerësuar se falë këtij investimi kompletohen ndërhyrjet në infrastrukturën arsimore të kësaj zone.

“Është një shkollë që nuk ka pasur ngrohje, një fenomen i trashëguar në shumë prej shkollave, por fatmirësisht shumica prej tyre do ta kenë ngrohjen këtë dimër. Për herë të parë shkolla do të ketë një palestër, është një ambient fantastik. Gjithë zinxhiri i shërbimeve, çerdhe-kopësht-shkollë është shumë pranë njëri-tjetrit për komunitetin, ndaj besoj se strategjia jonë për të ndërtuar më shumë kënde lodrash, kënde sportive, palestra për të larguar të rinjtë nga bingot, bastet dhe kafenetë, është një strategji që po funksionon”, theksoi Veliaj.
 
Kreu i bashkisë shtoi se nuk ka më asnjë arsye që prindërit të dynden për të regjistruar fëmijët vetëm në një numër të kufizuar shkollash.

“Shkollat me dy turne zhduken kur ka infrastrukturë, por kur ka edhe kulturë. Ndaj i lus të gjithë prindërit, mos i merrni më qafë fëmijët tuaj, duke i paketuar në shkolla ku tashmë është mbushur numri i nxënësve. Mësuesit më të mirë po shkojnë në shkollat e reja, ndaj është shumë e rëndësishme që prindërit ta kuptojnë këtë: Nuk është ndërtesa ajo që e bën një nxënës të mirë, është mësuesi. Dhe mësuesit e portalit që rankohen sot më të lartët, ata po shkojnë dhe po fillojnë punë në shkollat e reja. Ndaj nëse duan cilësi, të shkojnë aty ku ka vend dhe ku është afër komunitetit”, tha Veliaj.

Në shkollën 9-vjeçare “Dhora Leka”, ku mësojnë rreth 600 nxënës, do të ndërtohet palestra e re, si dhe ambientet ndihmëse, dhomat e zhveshjes për djem e vajza. Godina do të ketë sistem qendror ngrohje si edhe do të kryhen një sërë punimesh të tjera si rikonstruksioni i plotë i tarracës,  hidroizolimit i saj, kanalizimi i ujërave, si dhe sistemimi dhe gjelbërimi i territorit të jashtëm.

Top Channel