Analfabetizmi në Homezh, ministrja Nikolla merr masat e para

28/09/2017 00:00

Emisioni investigativ “Fiks Fare”, prej së premtes së kaluar ka denoncuar në disa raste problemet e arsimit në Shqipëri, duke nisur që nga analfabetizmi i nxënësve të klasës së 9 në shkollën e fshatit Homezh të Pogradecit, e deri në atë të kësaj të enjteje, me shkollën e kthyer në hambar bari, në fshatin Buhal të Përmetit.

Për problemet e arsimit, sfidat dhe planet në mandatin e ri 4-vjeçar të qeverisë “Rama 2”, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla foli mbrëmjen e së mërkurës edhe në emisionin “Top Show” të Alban Dudushit.

Por, përmes një letre zyrtare, ministrja ka reaguar edhe për emisionin e transmetuar më 22 shtator në “Fiks Fare”, që siç shprehet edhe vet “e ka ndjekur me shumë vëmendje dhe kokulur”, denoncomin që trajtonte dhe faktonte problemet në nxënie të fëmijëve në klasa kolektive.

Sipas asaj që shkruan ministrja Nikolla, ekziston një plan konkret i cili do të ulë numrin e analfabetizmit me 30% që në 300 ditët e para të mandatit të ri. Megjithatë, titullarja më e lartë e Arsimit në Shqipëri thekson se ky është një fenomen i bartur në vite dhe shumë kompleks, që kërkon bashkëpunim të shumë faktorëve.

Ministrja Nikolla ka ndërmarrë edhe masat e para.

“Kam urdhëruar që sot inspektimin e plotë të shkollës, është pezulluar në mënyrë të menjëhershme drejtori i shkollës, ndërsa do të mbahet edhe një testim i menjëhershëm i nxënësve, për të marrë më pas masa të rrepta për mësuesit, në varësi të përfundimit të testimit. Veç këtyre, Lindita Nikolla thekson se do të ndërmerren programe individuale specifike për çdo mangësi të evidentuar, e në fund do të njoftohen prindërit dhe publiku mbi ecurinë e nxënësve.

Ministrja Nikolla shton më tej se, pjesë e masave të planifikuara në 100-ditëshin e parë qeverisës është edhe riorganizimi tërësor i inspektimit të çdo shkolle në Shqipëri.

Top Channel