“Fiks Fare”, shkolla-hambar në Buhal të Përmetit

28/09/2017 00:00

“Fiks Fare” tregoi mbrëmjen e së enjtes godinën e shkollës fillore në fshatin Buhal të Përmetit, e cila është shumëfunksionale. Një klasë e saj është kthyer në hambar, ku ruhet kashta, dera e të cilit ruhej nga një kyç i madh.

Një tjetër ambient ishte përshtatur si Ambulancë e fshatit. I vetmi mjedis që vihet në dispozicion të fëmijëve është një klasë kolektive, në të cilën ndjekin mësimin vetëm dy nxënës dhe 4 fëmijë parashkollorë. Në godinë, mësimi zhvillohej pa drita dhe mungonte tualeti.

“Fiks Fare” ka vëzhguar nga afër sesi zhvillohet procesi mësimor. Mësuesja përshkon 45 minuta rrugë në këmbë për të ardhur në shkollë. Çdo mjet didaktik është sjellë nga vet ajo.

“Vij çdo ditë në këtë rrugë dhe udhëtoj për 45 minuta. E bëj me dëshirë, pasi e kam pasion këtë punë. Kjo është klasa me dy nxënës dhe 4 fëmijë të tjerë që janë parashkollorë. Të gjitha këto që shihni brenda i kam sjellë vet. Problem këtu mbetet mungesa e tualetit, si dhe e ndriçimit. Nuk ka drita. Mjediset e tjera janë…kjo klasë që tashmë nuk përdoret më, si dhe kjo dhomë që mban kashtë, por unë kështu e kam gjetur dhe nuk e di se kush e ka zënë”, tha ajo.

Drejtori i shkollës, Avdulla Kuçuku, i pyetur nga “Fiks Fare” shpjegon se, edhe pse i është bërë kërkesë Bashkisë së Përmetit për të lidhur drita dhe për tualetin, investimet kanë qenë të pakta. Sipas tij është siguruar vetëm lyerja. Lidhur me hambarin e kashtës, drejtori tha se nuk ishte në dijeni.

“Ne kemi bërë kërkesa për tualetin, dritat, por kuptohet që nuk ka pasur veç lyerjes. Përsa i përket hambarit, unë nuk jam në dijeni, edhe pse e vizitoj shkollën shpesh, një herë në muaj”, tha Kuçuku.

“Fiks Fare” i është drejtuar Bashkisë së Përmetit dhe Zyrës Arsimore. Bashkia ka investuar për këtë vit akademik vetëm për lyerjen e klasës, ndërsa Zyra Arsimore ka dhënë vetëm shkumësa dhe asnjë mjet tjetër didaktik.

“Ne kemi marrë kërkesat nga shkollat, siç bëjmë çdo vit. Konkretisht për këtë shkollë kemi pasur kërkesë vetëm për dy qese me çimento, të cilat sigurisht që ia kemi çuar. Unë nuk jam në dijeni të kushteve, të hambarit, apo edhe të mungesës së dritave dhe tualetit. Do t’i verifikojmë dhe do t’iu themi”, është shprehur nënkryetarja e Bashkisë së Përmetit, Etleva Kreci.

Ndërsa financieri i Zyrës së Arsimit, Edi Myrto u shpreh se mungesa e fondeve ka bërë që për këtë shkollë të sigurohen vetëm shkumësa dhe asnjë lloj tjetër mjeti didaktik.

“Fondet i kemi të kufizuara. Për këtë vit kemi pasur në dispozicion gati 200 mijë lekë, të cilat janë ndarë për 12 drejtori shkollash. Këto kanë në varësi edhe shkolla të tjera të fshatrave përreth. Kaq kanë qenë mundësitë tona”, përfundoi ai.

Top Channel