Shkencëtarët kinezë kanë kryer për të parën herë një ndërhyrje kirurgjikale “kimike” mbi një embrion, për të larguar prej tij sëmundjen e “Beta-Talasemisë”.

Ekipi i Universitetit “Sun Yat-sen” përdori teknikën e quajtur “korrigjim bazik” për të ndrequr gabimin e kodit gjenetik. Ata arritën të ndërhyjnë tek embrionet e prodhuara në laborator, duke tjetërsuar blloqet ndërtuese të ADN-së: Adenina, Citozina, Timina dhe Guanina.

Të gjitha të dhënat për formimin dhe mbarëvajtjen e trupit të njeriut kodohen në kombinimet e këtyre bazave të azotuara të acidit dezoksiribonukleik. “Beta-Talasemia”, forma më e rëndë e sëmundjes potencialisht vdekjeprurëse të gjakut, shkaktohet nga ndryshimi në njërën prej bazave të kodit gjenetik.

Ekipi kinez pikërisht këtë korrigjoi. Pjesëtarët e tij skanuan ADN-në për të parë se ku ishte gabimi dhe e shndërruan një G në A, duke rregulluar kodin. Një prej kërkuesve, Junjiu Huang i tha BBC-së se, studimi hap horizonte të reja për kurimin e pacientëve dhe parandalimin e lindjes së foshnjave me “Beta-Talasemi”, e madje edhe semundje të tjera të trashëgueshme.

Talasemia është një çrregullim i gjakut, i transmetuar gjenetikisht, për shkak të të cilit, trupi sintetizon një formë jonormale të hemoglobinës, e kjo shkakton shkatërrimin gradual të qelizave të kuqe të gjakut, deri në anemi.

Top Channel