Shkollat e reja, përfundon rikonstruksioni te “Siri Kodra”

28/09/2017 00:00

Pas qendrës, Bashkia do t’i përqendrojë investimet e saj në infrastrukturën e shkollave në zonat rurale.

Shkollat e reja ofrojnë të njëjtën cilësi shkollimi si të gjitha shkollat e tjera, arsye për të cilën kryebashkiaku Erjon Veliaj ftoi prindërit që të mos orientohen vetëm në një grup të vogël shkollash në qytet.

“I ftoj të gjithë qytetarët që të frekuentojnë shkollat e reja, jo vetëm si infrastrukturë, por aty do të gjejnë disa nga mësuesit më të mirë. E di që qyteti është i mbushur plot me legjenda urbane që datojnë nga vitet 70-80, që filan shkollë është e mirë, filan shkollë është elitare. Dua t’ju them që shumica dërrmuese e profesorëve që kanë dhënë mësim në vitet ‘70-‘80 tashmë kanë dalë në pension. Reputacioni është aty ku janë njerëzit. Do të thotë që gjithnjë e më shumë duhet t’i kushtojmë rëndësi shkollës që kemi afër, ku kemi çuar edhe mësuesit më të mirë. Ndaj, për këtë arsye dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të shkojnë tek shkolla e tyre më e afërt”, tha Veliaj.

Bashkia e Tiranës përfundoi rehabilitimin e shkollave në njësinë numër 8 në kryeqytet. Tashmë, shkolla “Siri Kodra”, sipas kryebashkiakut Veliaj, do të presë 600 nxënësit e saj pa problematikat që e shoqëronin procesin e mësimit në të shkuarën.

“Me rikonstruksionin e plotë të shkollës “Siri Kodra” i japim fund përfundimisht të gjitha problematikave që kemi pasur me institucionet arsimore, çerdhe, kopshte dhe shkolla në njësinë 8. Kjo na liron që të orientohemi më shumë drejt zonave rurale apo në zonat ku ka pasur një degradim të institucioneve arsimore”, deklaroi Veliaj.

Top Channel