Asgjë tjetër nuk e tradhtonte njeriun e vënë në krye të qindra ushtarëve perandorakë francezë, të mbledhur në periferitë e Parisit, përveç theksit të tij amerikan.

Mark Schneider është lindur në Virginia të Shteteve të Bashkuara 200 vite pas heroit të vet të madh, e sot është një prej imituesve më të mirë të Napoleon Bonaparte në të gjithë botën.

Nga betejat e Vaterlosë (Waterloo) dhe Austerlicit (Austerlitz), ai tani është kthyer në rrethinën shumë më paqësore të Rueil-Malmaison, periferia e kryeqytetit francez e mbuluar nga gjethet, dikur shtëpi e bashkëshortes së Napoleonit, Joséphine de Beauharnais.

Ushtria e adhuruesve të gjeneralit të shkëlqyer, të kthyer në perandor, është mbledhur për paradën që kremton 210-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Tilsitit (Tilsit) me rusët.

Schneider e ka marrë shumë seriozisht rolin e tij.

“Është një kremtim për paqen, për perandoreshën, për mua, për ushtrinë e madhërishme, për Francën dhe për Europën”, tha Mark Schneider, imitues i Napoleonit.

Schneider nuk e gjen rastësisht veten sot, si një imitues të etur të Bonapartit.

“Një lidhje ekziston, personalisht me mua po njëherë. Unë e dua Francën, e dua historinë e saj, mbi të cilën kreva edhe studimet. E kam studiuar historinë e ushtrisë franceze të shekujve XVIII dhe XIX dhe e kam adhuruar që kur isha fëmijë”, tha Mark Schneider.

Mbi 2.000 vetë nga 16 vende të ndryshme të globit, të gjithë të apasionuar pas kësaj pjese të së shkuarës, morën pjesë në paradë, ku çdo gjë, duke nisur nga uniformat e deri te menyja e ushqimit, ishte kaluar rreptësisht në sitë për një saktësi historike maksimale.

Top Channel